Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ridvan Tahiri, i është bashkangjitur kërkimeve për Remzije Mustafën, e cila është zhdukur para disa ditësh në Prishtinë.
Tahiri e ka konfirmuar se ai ka nisur kërkimin për ta gjetur 59 vjeçaren.
“Vullnetarisht unë dhe disa miq i kemi ofruar familjes në ndihmë për të kërkuar. Sot kam kërkuar në disa pjesë të qytetit. Kam kontaktuar me qytetarët. Disa më kanë thënë se e kanë parë në Dardani, dikush më ka thënë tek stacioni i autobusëve. Sipas informacioneve që kemi ajo gjendet brenda qytetit në Prishtinë”, tha ai për Klan Kosova.
Ai theksoi se ka biseduar edhe me zyrtarët e Forcës së Sigurisë, për të siguruar mjetet e nevojshme.
“Kam biseduar me Gjeneralin Enver Cikaqi, për të siguruar disa qen nuhatës, për të na e lehtësuar operacionin e kërkimit“.
“Kërkimet do të vazhdojnë tutje në gjitha pjesët e qytetit. Sidomos në vendet e braktisura të banimit”, theksoi ai.
Ai tregoi e iniciativa është private dhe vetëm për t’i dalë në ndihmë Policisë dhe familjes.
Veprimet dhe kërkimet policore, janë duke vazhduar intenzivisht, mirëpo njëkohësisht kërkojmë nga të gjithë ata që mund të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së saj, të informojnë Policinë e Kosovës në linjën emergjente 192, apo në nr 080019999.