Korrupsioni nuk është dicka abstrakte (e papreksme), por është dicka që dëmton jetën tonë të përditshme dhe zhvillimin tonë.
Në hapjen e ceremonisë në javën kundër korrupsionit të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, Anja Becky, sekretare e parë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë ka theksuar se korrupsioni nuk është diçka abstrakte, por është diçka që dëmton jetën tonë të përditshme dhe zhvillimin tonë.
“Na gëzon fakti që qytetarët kanë marr pjesë në numër kaq të madh në këtë garë, kanë sjellë idetë e tyre dhe na kanë treguar për pasojat që korrupsioni i shkakton”, ka shtuar ajo, transmeton Gazeta Alo.
Kjo deklarata nga Becky është bërë me rastin e garës së fotografive kundër korrupsionit.
Kurse Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë
Kundër Korrupsionit në Kosovë, ka thënë se përkundër angazhimit të
institucioneve, niveli i korrupisonit është i lartë
“Niveli i korrupsionit në
vend është i lartë edhe përkundër angazhimeve të institucioneve për zbatim të
ligjit në këtë rast edhe të Agjencisë kundër korrupsion. Jemi të mobilizuar që
sa më shumë ta luftojmë bashkërisht edhe me institucione të tjera. Shoqëria
civile në këtë rast është shumë aktive. Nga shoqëria civile, në këtë rast KDI
kemi marrë shumë informacione gjatë këtij viti sa i përket disa situatave që
kanë të bëjnë me çështje të konflikt të interesit, çështje në prokurim publik
dhe fusha tjera”, ka shtuar ndër të tjera ai.
Ndërsa Florent Spahija, zyrtar ligjor në KDI, ka potencuar se pjesë e pa
ndashme e punës së KDI-së çdo ditë është dhënia e këshillave ligjore pa pagesë
për qytetarët që duan ta raportojnë korrupsionin, sinjalizuesit e korrupsionit
dhe dëshmitarët e korrupsionit. Të drejtat e punëtorëve, integriteti në
sistemin e drejtësisë, financimi i subjekteve politike dhe Prokurimi publik
janë fushat që KDI është angazhuar vazhdimisht.
“Në këtë ditë, kur po shënojmë Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit i bëjmë
thirrje Qeverisë së Kosovës që të shkarkoj ministrat dhe zëvendësministrat me
aktakuza […] po ashtu rikthejmë vëmendjen duke kërkuar sërish dorëheqjen e
kryeprokurorit të shtetit z. Lumezi. Gjithashtu i bëjmë thirrje prokurorisë dhe
policisë që të bashkohen në luftë kundër korrupsionit dhe njëkohësisht gjykatat
në dënime më të ashpra për të korruptuarit”, ka shtuar Spahija.
Ndryshe, në garë gjithsej ishin 115 fotografi dhe video, të cilat janë
vlerësuar nga juria profesioniste.
Fitues të foto garës janë:
Vendi 1 – Bardha Goga
Vendi 2 -Milot Krasniqi
Vendi 3- Altin Gashi
Fitues të video garës janë:
Vendi 1 -Agon Nimani
Vendi 2 -Florent Kastrati
Vendi 3 – Basri Oruqaj
Këto gara janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve të KDI në Muajin Kundër
Korrupsionit dhe mbështeten nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë dhe
Ambasada Gjermane në Kosovë./Gazeta Alo