Pas përgjigjes që mori nga Brukseli, Zaev ka deklaruar dorëheqjen dhe Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në prill. Mospjesëmarrja e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë ka thelluar krizën politike në këtë vend, ndërkaq janë shtuar kërkesat për largimin e Ramës, pas shuplakës që mori nga Brukseli. Në anën tjetër, Vuçiqi prej kohësh përballet me protestat e opozitës dhe në pranverë Serbia do të organizojë zgjedhje parlamentare. Në këtë situatë të tre gjetën një “solucion” dhe e servuan si alternativë për BE-në.
Kosova mori qëndrim refuzues për projektin, për të cilin treshja ka thënë se mbështetet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Edhe në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë janë shprehur hezitime.
Pas qëndrimit të shprehur në Prishtinë, Rama ka thënë se Kosova ka zgjedhur të vetizolohet.
Berat Rukiqi është kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Propozuesit nuk ia kanë mbushur mendjen atij se iniciativa është qëllimmirë.
“Prej termit e deri te protagonizmi i propozuesve japin shenja që edhe kjo iniciativë më shumë do të marrë konotacion politik sesa ekonomik”, thotë Rukiqi, i cili përmend edhe nisma të tjera rajonale, sikur është CEFTA, nga të cilat Kosova ka përfituar më pak sesa vendet e tjera.
Besnik Vasolli është njohës i integrimeve evropiane. Ai thotë të jetë gabim nëse kjo nismë është menduar si kundërpërgjigje ndaj politikës së re të BE-së në raport me zgjerimin.