Fjalë Kyçe

Ekipi ku luan Valon Berisha hap llogari bankare për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit

Ekipi ku luan Valon Berisha hap llogari bankare për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit

Klubi italian Lazio e ka hapur një llogari bankare për mbledhjen e të hollave, me qëllim për t’i ndihmuar Shqipërisë, pas tërmeteve vdekjeprurëse që e goditen gjatë ditës së marte.

Njëzet e një persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm, raporton Gazeta Express.

Përveç ngushëllimeve dhe solidaritetit të shprehur, Lazio – klubi i famshëm nga kryeqyteti italian Roma – për të cilin luajnë dyshja shqiptare Thomas Strakosha i ekipit kombëtar kuqezi dhe Valon Berisha i ekipit kombëtar dardan, ka bërë një hap të madh për t’i dalë në ndihmë shqiptarëve të prekur nga kjo tragjedi.

Lazio, drejtor sportiv i të cilës është shqiptari Igli Tare, ka vendosur ta hapë një llogari bankare duke i lutur ndjekësit e vet në rrjetet sociale të dhurojnë para për t’iu ndihmuar të prekurve nga tërmetit 6.4 shkallë.

“Mbrëmë, një tërmet i fortë e goditi Shqipërinë. Dhimbja nuk përshkruhet me fjalë, prandaj është e nevojshme t’u ndihmojmë familjeve dhe personave të prekur”, ka shkruar Lazio në ueb faqen e vet zyrtare.

Duke treguar që e ka hapur llogarinë bankare si më poshtë, klubi italian ka bërë thirrje të dhurohen para në të për popullin shqiptar.