Fjalë Kyçe

Mbi 5200 të pastrehë dhe 1200 banesa të dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri

Mbi 5200 të pastrehë dhe 1200 banesa të dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri

Në Shqipëri ka rritur në 49, numri i viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin të martën, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po shkojnë drejt fundit dhe paraditen e së premtes po kërkohej vetëm nën rrënojat e një hoteli në Durrës, ku dyshohet të jetë ende trupi i një personi.

Eshtë pikërisht Durrësi qyteti me numrin më të madh të personave që kanë humbur jetën, 25 viktima. Goditjet e tërmetit shkatërruan duke rrënuar plotësisht, dy hotele në zonën e plazhit, dy pallate në qytet si dhe një banesë trekatëshe në zonën e ish Kënetës. Ndërsa në Thumanë, ku kërkimet u konsideruan të mbyllura që ditën e djeshme, ishin 23 persona që humbën jetën nën rrënojat e dy pallateve të rrëzuar.

Sot qeveria bëri të njohur dhe një bilanc të parë të dëmeve, ku janë mbi 1200 banesa dhe pallatet e prekur. Sipas kryeministrit Edi Rama në zonën e Durrësit janë 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara gjithsej dhe 176 ndërtesa të dëmtuara. Ndërsa në Tiranë, 15 banesa janë të shkatërruara dhe 239 të dëmtuara, ndërsa 8 ndërtesa janë jashtë funksionit dhe 61 të dëmtuara.

Mbi 5200 janë qytetarët e pastrehë nga të cilët 3480 në rajonin e Tiranës dhe 1760 në Durrës dhe Thumanë. Kryeministri Edi Rama tha se tendat do të mbyllen gjatë ditës së sotme dhe të gjithë personat e pastrehë do të sistemohen pranë strukturave hoteliere me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje.

Ndërsa dy ditë më parë qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës, sot në listë u përfshi edhe Laçi për shkak të dëmeve të mëdha të regjistruara dhe në këtë zonë.

Një ditë më parë një gjë e tillë u kërkua nga kryetari demokrat Lulzim Basha. “Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimetër. Në këtë rast na përputhen shqetësimet dhe idetë”, deklaroi kryeministri, i cili ftoi opozitën të bëhet pjesë dhe e Komitetit për Rindërtimin e dëmeve nga tërmeti.