Demaku duke folur për debatin nëse po keqpërdoren ndihmat që po dërgohen në zonat e krizës, ka thënë se i jep drejtë Edi Ramës se vetëm ndihmat financiare mund të kontrollohen.

Ai thotë se në kohë emergjente si është ajo e Shqipërisë ndihmat në rroba apo gjëra tjera janë vështirë të menaxhueshme nga strukturat shtetërore pasi sipas tij gjithë aparatura e shtetit është e orientuar në shpëtimin e jetëve të njerëzve.

Publicisti duke folur për lajmet e rreme që kanë shkaktuar panik pas tërmetit, ka thënë se në raste lufte apo krizash zakonisht ndërpriten të gjitha burimet e informacionit pos atij zyrtar-shtetëror.

Demaku thotë se edhe në Shqipëri për të evituar gjithë këtë situatë kaotike të krijuar “nuk do të ishte gabim edhe të shkelej pak demokracia e të ndërpriteshin burimet e lajmeve”.

Nga ana tjetër autori i emisionit “Një kafe me Labin”, Labinot Gashi po ashtu panelist në emision, duke folur për mobilizimin e shqiptarëve pas tërmetit ka thënë se një dukuri jo e mirë që ka vërejtur ishte postimi i ndihmave të dhuruara në rrjete sociale.