Fjalë Kyçe

Thaçi: BE-ja po i shpërblen shtetet shantazhuese dhe po i bllokon shtetet bashkëpunuese

Thaçi: BE-ja po i shpërblen shtetet shantazhuese dhe  po i bllokon shtetet bashkëpunuese

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e organizuar nga Instituti “Lindje-Perëndim”, si panelist kryesor ka folur për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se pikërisht kur po mbahej samiti i NATO-s në Londër, presidenti i Serbisë udhëtoi për në Rusi dhe ky është mesazh i orientimit të tyre.

“Ky është mesazh për orientimin e Serbisë. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme kemi dëgjuar deklarata nga liderët serbë, duke i mohuar krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas një komunikate të Presidencës, kreu i shtetit ka thënë në Berlin se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë nuk ndikojnë vetëm në rrafshin bilateral, por edhe në stabilitetin e rajonit dhe të BE-së. Duke folur për perspektiven euroatlantike të shteteve të Ballkanit Perëndimor, presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova duhet ta marrë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur.

“Këtë nuk e shohim si dhuratë, por është diçka që Kosova e meriton dhe ka plotësuar kriteret për ta marrë. Së dyti, hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të bëhet në të ardhmen e afërt. Bllokimi i negociatave ishte mesazh i keq për gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi.

Para shumë përfaqësuesve shtetërorë të SHBA-së, BE-së dhe shoqërisë civile, presidenti Thaçi ka thënë se po shohim se BE-ja ka standarde të dyfishta.

“Derisa Kosova bllokohet në liberalizim dhe Maqedonia me Shqipërinë bllokohen në hapjen e negociata, Serbisë i premtohet hapje e kapitujve të rinj. Shohim pra që ata që shpërblehen janë ata që shantazhojnë BE-në me raportin me Rusinë”, ka thënë ai.

Sipas presidentit Thaçi, kur kanë nisur bisedimet në vitin 2012, një nga rregullat e pashkruara ka qenë që s’do ta kushtëzojmë procesin, kurse tash taksa po përdoret për ta kushtëzuar dialogun.