Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka vizituar banorët e Shqipërisë, të strehuar përkohësisht në Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro- Gjerman, në Prizren.
Haradinaj është njoftuar me të gjitha ecuritë në Parkun Inovativ Trajnues, angazhimet institucionale dhe të donatorëve e vullnetarëve dhe me gjendjen shëndetësore të të strehuarve.
Ai tha se Kosova është angazhuar me të gjitha mekanizmat e saja për t’u dalë në ndihmë banorëve të Shqipërisë dhe se tani po punohet, në koordinim me autoritetet shqiptare në rikthimin e tyre në Shqipëri.
Gjatë kësaj vizite, Haradinaj zhvilloi një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, menaxhmentin e Parkut Inovativ, Drejtuesit e Policisë së rajonit të Prizrenit, drejtuesin e shoqatës Nënë Tereza z. Zef Shala, përfaqësuesit e shoqatës së Gastronomëve të Prishtinës dhe vullnetarët e angazhuar në Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren.