Mediat online, të cilat krijohen pa një shpjegues se kush qëndron pas tyre, prej ku më pas përhapen me shpejtësi të madhe nëpër rrjetet sociale, konsiderohen si burimi kryesor i tyre.
“Fake news” apo lajmet e pavërteta, sikurse në çdo vend tjetër, edhe në Kosovë po konsiderohen si fenomen shqetësues.
Në Komisionin e Pavarur të Mediave [KPM] thonë se kanë pranuar në vazhdimësi dhe po pranojnë ankesa të shumta nga qytetarët dhe publiku lidhur me lajmet e rreme që publikohen.
Zyrtari për informim në Komisionin e Pavarur të Mediave, Arsim Dreshaj, thotë se ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me disa portale (media online).
“Komisioni i Pavarur për Media është duke punuar në zbatimin e projektit për Edukimin Medial për të gjithë qytetarët, si masë edukuese dhe mbrojtëse nga lajmet e rreme”.
“Edukimi medial është një proces, i cili u referohet aftësive dhe njohurive të të kuptuarit që u mundëson qytetarëve t’i përdorin mediat në mënyrë efektive dhe të sigurt”, thotë ai.
Sa i përket legjislacionit, ai thotë se funksionimi i mediave audiovizuale, është i rregulluar me Kodin e Etikës së Komisionit të Pavarur të Mediave, i cili parasheh rregullimin e paanshmërisë dhe saktësisë së lajmit.
“Por, sa i përket ankesave për lajmet e rreme ndaj medieve audiovizuale, palët mund të ankohen duke u bazuar te Kodi Etik i KPM-së, i cili parasheh masa ndëshkuese që nisin nga tërheqja e vërejtjes, gjobitja me të holla, e deri te heqja e licencës për mediat e licencuara”, thekson Dreshaj.
Blerim Halili, një qytetar nga Prishtina, thotë se lajmet e rreme janë bërë një mekanizëm, i cili po u shërben interesave e klaneve të ndryshme për qëllime të caktuara.
“Ka shumë raste, sidomos kur bëhen top-tema disa çështje shoqërore politike këtu te ne. Lajmi është shndërruar në një mjet propagande të fuqishme që i bën njerëzit të mendojnë për një çështje të caktuar në mënyrë jo reale”, shprehet Halili.
Ligjëruesi në Fakultetin e Filologjisë në Degën e Gazetarisë, Muhamet Jahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi me lajmet e rreme është se mediat online, nuk kanë një kornizë të rregullimit ligjor, as me Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
“Duhet të ngrihet niveli i vetëdijesimit qytetar, pra një lloj edukimi medial që t’i dallojnë këto lajme të rreme nga përmbajtjet e vërteta dhe në këtë formë fillojnë t’i bojkotojnë ato”.
“E dyta, mediat kryesore duhet t’i denoncojnë edhe ato këto lajme, edhe në të njëjtën kohë të marrin rolin e primatit të një gazetarie të vërtetë. Dhe, e treta, nxitja e një gjykimi kritik te publiku, sepse publiku është ai, i cili po i vuan pasojat e këtyre lajmeve që në esencë kanë qëllime të errëta”, vlerëson Jahiri.
Sipas tij, lajmet e tilla shpesh shkaktojnë panik te qytetarët dhe në të njëjtën kohë, po shkatërrojnë gazetarinë profesionale.
Edhe kryetarja e Asociacioni të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo që është më së e nevojshme tash për tash, lidhur me lajmet e rreme është vetërregullimi i mediave online, edhe pse, siç shprehet ajo, janë mbajtur shumë takime e debate dhe nuk është gjetur një zgjidhje dhe nuk dihet se si do të duket ose do të duhej të ishte ai vetërregullim.
Begolli thotë se lajmet e tilla të pavërteta është shumë e vështirë të ndalohen, pasi që, siç thotë ajo, me një dukuri të tillë po ballafaqohen të gjitha shtetet jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë.
“Mënyra e vetërregullimit nga [mediat] dhe e vetëdijesimit të qytetarëve për lajmet e rreme, momentalisht shihet si e vetmja mundësi që të paktën të ketë numër më të vogël të tyre”, thekson Begolli.
Me shtrirjen e shpejtë dhe masiv të internetit, mediat online kanë gjetur një shtrirje të gjerë dhe kanë zëvendësuar gati se në tërësi mediat e shtypura (gazetat, revistat), kurse radiot dhe televizionet qëndrojnë ende në tregun medial duke u përshtatur me zhvillimet dhe trendët global, nëpër të cilët po kalojnë ato.