Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë janë zhvilluar në frymën demokratike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Por krahas saj, subjektet politike në pushtet, pa dallim ndërmjet nivelit qendror dhe lokal kanë keqpërdorur resurset publike për qëllime të fushatës zgjedhore.
Në gjithsej 787 aktivitete të monitoruara janë shpenzuar rreth 3,6 milionë euro nga partitë politike. Përveç LDK-së, gjitha partitë tjera kanë respektuar tavanin e shpenzimeve për fushatë zgjedhore.
Këto të dhëna u bën publike në konferencën që sot ka mbajtur Demokracia në Veprim mbi procesin zgjedhor të vitit 2019.
Sipas DNV-së, ky proces zgjedhor ka qenë më i tej zgjaturi ndër vite, ku KQZ-së, iu janë dashur rreth 53 ditë për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Teksa u bë publike edhe numri i aktiviteteve zgjedhore nga partitë politike, ku prinë PDK me mbi 230 sosh.
Në këtë publikim si gjëra negative gjatë fushatës zgjedhore u konsiderua pjesëmarrja e ulët e grave dhe përdorimi i fëmijëve në fushatë.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu tha se procesi zgjedhor ka qenë nën frymën demokratike, por theksoi se të gjeturat e këtij raporti duhet të merren si mësime për reformën zgjedhore.
Zgjedhjet si të mira i vlerësoi edhe ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Christian Heldt, i cili mes tjerash kërkoi reforma zgjedhore për t’iu shmangur vonesave.
Ish-kryetari i Komisionit për reformë zgjedhore, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti premtoi se gjatë legjislaturës së shtatë do të përfundojnë reformën zgjedhore. Ai adresoi kritika karshi KQZ-së, e cila sipas tij, duhet të marrë përgjegjësi për lëshimet gjatë procesit zgjedhor.
Të nevojshëm reformën zgjedhore e konsideroi edhe Yll Buleshkaj nga KQZ.
Mes tjerash, në këtë konferencë të DNV-së, u prezantua raporti i monitorimit të mediave në fushatën e sivjetme të zgjedhjeve. Në mesin e shumë detajeve tjera u theksua se kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti nuk ka bërë asnjë spot televiziv, ndërsa gjithë kandidatët tjerë kishin me qindra sosh.