Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i është përgjigjur Vetëvendosjes për akuzat për punësimet partiake në Telekom duke thënë se “sikur të ishte VV-ja në pushtet, kush e di se çka do të bënte”.
“Kanë me dalë me emra dhe mbiemra listat e të punësuarve. Nëse VV do të ishte në pushtet kush e di se çka do bënte. Nëse dalin emrat munden me dalë se ka të punësuar më shumë të VV sesa të PDK. Ai i cili ka kryer vepër kriminale ka me marrë përgjegjësi”, ka thënë Veseli.
Veseli ka shtuar se deputetët me deklarimet e tyre po e komplikojnë edhe më shumë situatën, dhe nuk po ofrojnë zgjidhje.
“Janë diku rreth 5 mijë familje të cilat preken drejtpërdrejtë nga Telekomi i Kosovës. Ajo çka është kryesor është se të gjithë punëtorët e Telekomit i kanë sytë në Kuvend. Në fakt kjo cka po shihet për atë se çka u fol nuk ka të bëj fare me fatin e atyre familjeve. Sepse shqetësimi është veç me e kompliku ma shumë situatën. Çështja e Telekomit zgjidhjet jashtë Telekomit, përmes përvojave menaxheriale e përmes kufizimeve në shpenzime”, ka thënë ai.
Këto komente, Veseli i ka bërë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për gjendjen e Telekomit./Gazeta Alo/