Fjalë Kyçe

PDK-ja në Prizren i kërkon Haskukës t’i shkarkojë drejtorët me aktakuza

PDK-ja në Prizren i kërkon Haskukës t’i shkarkojë drejtorët me aktakuza

Dega e PDK-së në Prizren ka mbajtur një konferencë për media ku është kritikuar qeverisja aktuale në këtë qytet, që në krye ka Mytaher Haskukën nga Vetëvendosja.

Shaqir Totaj nga PDK, në konferencë tha se deri sa ishin në opozitë VV dhe LDK, kanë qenë tepër të zëshme, shumë herë pa vend, për të kritikuar qeverisjen lokale në Prizren dhe kryetarin e atëhershëm, duke kërkuar në vazhdimësi jo vetëm shkarkimin e drejtorëve me aktakuza, por edhe dorëheqjen e vet kryetarit Ramadan Mujës.

Mbi të gjitha, Totaj ka kërkuar nga kryetari Haskuka që t’i shkarkojë të gjithë drejtorët që janë akuzuar tashmë.

“Asokohe, partitë opozitare që tani janë në koalicion qeverisës të udhëhequr nga Vetëvendosje, proklamonin qeverisje me duar të pastra, duke manipuluar opinionin dhe duke premtuar standard qeverisës më të lart, kur ata të vijnë në pushtet. Gjatë fushatës elektorale, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, z. Haskuka në mënyrë frontale, disa herë pa arsye, ka kritikuar në mënyrë shumë agresive, pothuajse çdo gjë që ka pasur lidhje me pushtetin e atëhershëm lokal në Prizren”, tha Ttoaj.

Totaj tha se “Vetëvendosje ka premtuar mrekulli, në momentin kur e merr pushtetin”.

“Por çka po ndodh në vazhdimësi, gjatë qeverisjes së z. Haskukës në Prizren, në këto 2 vitet e fundit ? Për më pak se 2 vite, koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje, kanë arritur t’i kenë 4 drejtorë me aktakuza. Nga ta, 1 drejtor kohë më parë është tërhequr, kurse 3 drejtorë të tjerë, tashmë qe 2 javë janë me aktakuza. Kohë më parë, akoma pa u bërë drejtora, personat me iniciale F. M. dhe E. O. kanë qenë të dënuar nga organet e drejtësisë dhe ky fakt tregon se sa ka qenë i kujdesshëm, Kryetari Haskuka në emërimin e drejtorëve, si dhe me çfarë kritere i ka selektuar ata”, tha Totaj.

Ai shtoi se të gjitha ato veprime, për të cilat e kanë kritikuar qeverisjen e PDK-së, koalicioni qeverisës po i bën tani, sipas tij, “vetëm se në një kohë më të shkurtër dhe në një formë më të ashpër”.

Dega e PDK-së në Prizren, kërkon dhe insiston që Haskuka, t’i shkarkojë drejtorët e akuzuar tashmë, nga Prokuroria Themelore në Prizren.

“I rekomandojmë z. Haskukës, që pas të gjitha këtyre dështimeve, për më pak se 2 vite qeverisje, seriozisht ta shqyrtoj mundësinë e dorëheqjes së tij si akt moral dhe të largohet nga posti, i cili me përshkrim të detyrave që duhen kryer si Kryetar i Komunës, shumëfish i tejkalon potencialet dhe kapacitetet e tij menaxhuese”, përfundoi Totaj.