Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklarimit të Isa Mustafës për media ku ai është shprehur se do t’i ofrojnë një ministri Lëvizjes Vetëvendosje në këmbim të postit të Presidentit.
Haki Abazi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje është deklaruar se ky është hap pozitiv në arritjen e marrëveshjes midis dy partive.
“Ashtu siç e keni dëgjuar edhe ju publikisht është deklaruar z.Mustafa që do të bëjë një ofertë të japë një ministër për Vetëvendosjen në këmbim të presidentit, mendoj që është zhvillim pozitiv, drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare drejt LVV dhe LDK-së, por është vetëm edhe një hap, nuk ka vendim të fundit, meqë veç sa është bërë publike. Mendoj se të dy liderët do të dekarohen në një klimë tjetër”, tha Abazi për lajmi.net.
Në anën tjetër, i pyetur nëse kjo do ta bind Vetëvendosjen dhe se kur do të mbahet takimi i radhës midis dy liderëve, Kurti e Mustafa, Abazi tha se kjo do të ndodh së shpejti.
“Po them se oferta e z.Mustafa është një hap më afër nënshkrimit të marrëveshjes. Unë besoj se shumë shpejt do të ndodh takimi i radhës”, tha Abazi.
Në anën tjetër, vlen të theksohet se Mustafa është shprehur se në rast të mosarritjes së marrëveshjes me Vetëvendosjen do të dalin në opozitë.