Fjalë Kyçe

Kosova refuzon Mini-Shengenin përjashtues dhe gjysmak

Kosova refuzon Mini-Shengenin përjashtues dhe gjysmak

Autoritetet kosovare, përkatësisht presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka vendosur t’i thotë “Jo” ftesës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës për takimin e radhës – Mini-Shengeni Ballkanik, i cili do të mbahet në Durrës të Shqipërisë këtë të premte. Mospërfshirjen e Kosovës në iniciativën e treshes Rama – Zaev – Vuçiq e kanë sugjeruar edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët vlerësojnë se kjo iniciativë është përjashtuese dhe gjysmake, shkruan sot gazeta Zëri.

Derisa vetëm një ditë na ndan nga takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Durrës të Shqipërisë më 20 dhe 21 dhjetor, autoritet kosovare për të dytën herë radhazi kanë vendosur të refuzojnë pjesëmarrjen në evenimente të tilla që kanë për qëllim të çojnë para krijimin e një Mini-Shengeni Ballkanik.

Ky refuzim i Kosovës vjen menjëherë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë eveniment. Me këtë rast i ftuari në këtë takim, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka theksuar se derisa Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën si shtet iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Ndërkohë ftesë për këtë eveniment nuk ka marrë kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.