Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë sot në shënimin e Ditës së Veteranit.
Ai në një fjalë drejtuar atyre iu ka kërkuar që të mos lejojnë që dikush t’ua qes në pikëpyetje krenarinë e as të drejtën e tyre.
“Kemi qenë atëherë në të drejtën tonë kur i kemi dalë zot vendit e popullit e lirisë tonë, jemi sot dhe kemi për të qenë përjetë e mot. E unë kam dëshirë që jeta ime, jeta e luftëtarit të jetë gjithmonë e këtillë që askush të mos ketë mundësinë ta ligë luftëtarin e lirisë ose t’ ia mohojë të drejtat që i takojnë me Ligj e Kushtetutë në Kosovë”, u shpreh ai.
Para të pranishmëve Haradinaj tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë krenarë dhe kanë histori e cila siç u shpreh i bindur ai, i dallon nga të tjerët.
Haradinaj veçoi se edhe Dita e Veteranit është një ditë që i bën krenarë sepse bëhet fjalë për përpjekjen e pushtuesve që t’i masnin forcat, të testojnë veten në raport me shqiptarët.
“Në Drenicë por edhe kudo që kanë jetuar shqiptarët, pushtuesi nuk ka mundur ta turpërojë e dorëzojë shqiptarin. Rëndësia e 28 vjetëve më herët është se po në këtë ditë janë mbrojtur politikat e gjykimet e njerëzve se si do të mbyllet fati i Kosovës. Atë ditë është ditur se do të vije edhe marsi i ’98-ës. Luftëtari shqiptar e ka pasur të vështirë sepse në Ballkan ka qenë i vetëm dhe i rrethuar me fqinj lakmitarë të cilët e kanë pasur qëllim rritjen e tyre mbi tokën, mbi të drejtat, mbi mallin e shqiptarit”, u shpreh ai.
Duke folur për të kaluarën, Haradinaj tha se në tokën dhe atdheun tonë, të tjerët i kanë rritur ushtritë e veta, i kanë ushqyer dhe i kanë furnizuar me të korrat tona për të pasur ushtri të forta dhe fuqi që të na mbajnë të pushtuar.
“Por ata që kujtojnë se nuk jemi të fortë e jemi ligë, ata nuk na njohin dhe nuk e dinë kush jemi. Kundër të gjitha rrjedhave që na kanë ndodhur ne sot i kemi dy shtete, Shqipërinë e Kosovën dhe e kemi ushtrinë shqiptare në Ballkan, atë të Kosovës, ushtrinë tonë e cila po rritet”, ka shtuar ai.
Nga një fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari dhe kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati.