Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar padrejtësi vendimin e gjykatës në Serbi për paraburgimin prej 30 ditësh të Nezir Mehmetajt që u arrestua ditë më parë teksa kthehej nga Serbia për në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Konjufca ka thënë se qytetarët e Kosovës po arrestohen në mënyrë arbitrare në Serbi. Sipas tij, me këto veprime, Serbia tregon se s’ka ndryshuar mentalitetin politik ndaj Kosovës e shqiptarëve.
“Me shqetësim morëm lajmin për arrestimin e qytetarit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, i cili po kthehej nga Serbia ku kishte qenë në spital për nevojat shëndetësore të nënës së tij. Dje pati disa reagime nga institucione e subjekte politike të Kosovës, dhe nga shumë qytetarë, që kërkuan lirimin e z. Mehmetaj. Por në vend të lirimit, sot morëm vesh se gjykatat e Serbisë kanë vendosur ta mbajnë edhe 30 ditë. Kjo është padrejtësi. Serbia po arreston në mënyrë arbitrare, cilin t’i teket, nga qytetarët e Kosovës të cilët kalojnë nëpër atë vend nga halli, jo nga qejfi. Me këto gjeste Serbia po na tregon se nuk ka ndryshuar ende mentalitetin politik sa i përket Kosovës e shqiptarëve, të cilët i trajton dhunshëm e me arbitraritet, sikur të jenë njerëz të dorës së dytë”, ka shkruar ai.
Konjufca ka thënë se sjelljet e tilla “që targetojnë një etni e një vend fqinj nuk premtojnë aspak mirë për të ardhmen”.
“I bëjmë thirrje Serbisë ta lejojë z. Nezir Mehmetaj të kthehet pranë vatrës e familjes së tij, dhe ta ndryshojë qasjen që ka ndaj Kosovës e qytetarëve të saj. Jemi në shek. XXI e këto sjellje duhet t’i ndalni megjithatë, edhe pse s’kanë kaluar ende as dy dekada prej masakrave gjenocidale që bëtë kundër nesh!” ka përfunduar postimin e tij Konjufca.