Një numër i prokurorëve dhe gjyqtarëve janë caktuar në pozita pa merita. Sistemi i drejtësisë po vuan edhe për shkak të mungesës së profesionalizimit. Të fuqizohet mekanizimi për matjen e performances të prokurorëve dhe të gjyqtarëve.
Viti që sapo kemi hyrë, po shihet si vit ideal kur duhet të fillojë procesi i vetingut në drejtësi, si formë e vetme që të kthehet besimin në sistemin e drejtësisë në vend, vlerësojnë për KosovaPress organizatat që merren me sistemin e drejtësisë.
Organizatat që merren me monitorimin e punës së sistemit të drejtësisë, shprehen të bindur se gjendja në sistemin e drejtësisë nuk mund të ndryshojë pa ndodhur një proces i vetingut.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë për KosovaPress se pa një proces të vetingut është e pamundur që sistemi i drejtësisë të ngjallet, t’i adresojnë kërkesat e qytetarëve dhe të ofrojë drejtësi të bazuar në ligj.
Miftaraj deklaron se sistemi i drejtësisë përveç që vuan nga grupe të caktuara brenda sistemit të drejtësisë që i shërbejnë politikës apo grupeve të caktuara. Sipas tij, sistemi i drejtësisë përballet edhe me mungesë të profesionalizmit.
Edhe Yllka Buzhala, nga Lëvizja Fol, thotë se vetingu në drejtësi është i domosdoshëm, por që shton se duhet të bëhet shumë kujdes se si do të organizohet ky proces.
Ndërkaq, Artan Demhasaj nga organizata Çohu, ndonëse e sheh si të domosdoshëm procesin e vetingut, thotë se njëherë do të duhej të provohej fuqizimi i mekanizmave të mbikëqyrjes brenda Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.
Ai thotë se nëse kjo mbikëqyrje nuk do të ndikonte atëherë do të hapej rruga për procesin e vetingut, që sipas Demhasaj do të duhej të fillonte gradualisht dhe jo në të gjitha gjykatat njëherësh.
Kujtojmë se gjatë vitit 2019 nuk është ngritur asnjë aktakuzë e profilit të lartë, ndërsa gjykatat vazhdojnë të përballen me numër të madh të lëndëve të pa trajtuara./KosovaPress/