Vetëm gjatë vitit 2019 janë katër raste kur burrat ua morën jetën atyre.
Përveç dhimbjes për vajzat, motrat e nënat e tyre, familjarë të këtyre viktimave po përballen edhe me ‘padrejtësinë’. Organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut po thonë se organet e drejtësisë tash e sa vjet janë vonuar në parandalimin e këtyre rasteve.
Çdo ditë me sy të përlotur e me shumë mall, ditët po i kalojnë duke e kujtuar vajzën e tyre përmes fotografive. Pothuajse në çdo cep të shtëpisë kanë zënë vend kujtime që ua la ajo, vajzës që iu morr jeta nga bashkëshorti. Vetëm kështu po e largojnë mallin Makfirja e Gëzimi, prindërit e Diana Kastratit.
Ajo ishte viktimë e burrit, një e vrau, e shumë të tjerë nuk e mbrojtën.
Mëngjesin e datës 18 maj të vitit 2011, vetëm pak metra larg kësaj shtëpie në Prishtinë, ajo u vra në pikë të ditës dhe i dyshuari për vrasjen e saj, ish-bashkëshorti Adnan Jashari ende nuk është kapur nga organet e ndjekjes dhe drejtësisë së Kosovës.
Ajo kishte plot 10 vjet që ishte e martuar me Jasharin, por jeta e tyre bashkëshortore nuk kishte shkuar edhe aq mirë. Diana kishte filluar qysh moti të sulmohej fizikisht nga burri i saj, e për këtë kishte kërkuar ndihmë nga shteti. Ndihmë që nuk iu ofrua.
Baba i saj, Gëzimi në një rrëfim për KosovaPress thotë se ishin përpjekur që këto gjëra të normalizoheshin, meqë nuk ishte hera e parë që ai po ushtronte dhunë në Dianën, por nuk e kishin menduar që do të përfundonte kështu.
Tash e gati nëntë vjet, ky rast ende nuk është përmbyllur. Vrasësi i Dianës vazhdon të jetë në arrati, dhe kurrë nuk është kapur nga autoritetet. Kjo për shkak se i dyshuari për vrasjen e saj, tashmë e sa vjet gjendet në Spanjë, dhe ky shtet asnjëherë nuk ka pranuar ekstradimin e tij në Kosovë.
Përveç dhimbjes që kanë për vajzën e vrarë, familja Kastrati thotë se më shumë gjatë këtyre vjetëve i ka dëmtuar procesi i gjatë gjyqësor, për çka sipas tyre janë bërë edhe shumë shkelje.
Pas tetë viteve që nga vrasja mizore e Diana Kastratit, Gjykata e Prizrenit gjatë vitit të kaluar kishte marrë vendim që prindërve të Dianës, Gëzim e Makfire Kastratit, t’u kompensohet dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre. Vrasje e cila besohet se erdhi si rezultat i dështimit të drejtësisë që të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në mbrojtjen e saj.
Ky është rasti i parë kur denoncohet shteti. Mirëpo për këtë vendim ishte ankuar Avokatura e Shtetit. Kjo e fundit pretendon se Gjykata e Prizrenit gjatë marrjes së vendimit gabimisht e ka vënë përgjegjës shtetin e Kosovës.
Kastrati po drejton gishtin në drejtim të institucioneve të vendit. Ai thotë se asnjëherë që nga viti 2011 nuk i ka interesuar për gjendjen e tyre.
Diana Kastrati, pas vetës ka lënë edhe një vajzë, që aso kohe ishte tetë vjeçare, për këtë prindërit e të ndjerës shprehin shqetësimin se si do të rritet ajo në familjen, ku ish-bashkëshorti e vrau nënën e saj.
I lodhur e i përvuajtur tash e tetë vjet po kërkon drejtësi për vajzën të cilën e përcolli me fustan të bardhë, e iu kthye e vdekur.
Antigona Morina vdiq tri ditë pasi u martua, për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, e burri i saj Hilmi Zena nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore së ndjerës. Për këtë baba i saj po pretendon se vajza iu vra pikërisht nga bashkëshorti.
Kur Bislimi kishte shkuar në spital për të parë vajzën e tij, tregon se e kishte parë vendin plot policë, nga të cilët edhe u informua për vdekjen e saj, familjarë të ish-dhëndrit i kishin thënë se ajo humbi jetën nga infarkti.
Baba i Antigonës tregon se qysh në ditët e para kishte filluar të dyshonte për vdekjen e 29 vjeçares.
Tri ditë pas kësaj, Hilmi Zena nga fshati Malësi e Vogël të komunës së Rahovecit, ishte marrë në mbajtje nga Policia.
Teksa rrëfen për këtë ngjarje, Bislimi thotë se nuk ka lënë institucion të Kosovës, pa vizituar për të kërkuar drejtësi për vajzën e tij, sipas tij ai tërë këto vjet është maltretuar në gjykata e prokurori. I pakënaqur është edhe me dënimin që i është caktuar pas kaq viteve burrit që po pretendon që ja mbyti vajzën.
Krahas kësaj, 65 vjeçari thotë se është i kërcënuar nga familja Zena.
Lista e gjatë e vrasjeve të grave nuk po përfundon këtu.
Vetëm gjatë vitit që lamë pas ishin katër gra të cilave jeta u tyre u përfundoi në mënyrë tragjike.
Në gusht të vitit të kaluar, Armenda Aliu mbeti e vrarë nga 15 plumbat e shtënë nga bashkëshorti i saj, Bajram Velija. Çifti kishin ardhur për pushime në Kosovë nga Zvicra. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në Prizren.
Po në këtë vit, një person kishte qëlluar për vdekje me armë zjarri gruan e tij, nusen e djalit e më pas ishte vetëvrarë.
Për numrin e vrasjeve flet edhe Arsim Shala, kapiten i Njësisë për Hetime rreth Dhunës në Familje.
Rastet e dhunës në familje, po ashtu kanë shënuar rritje. Vetëm gjatë vitit të kaluar të raportuara kanë qenë 1748 raste të dhunës në familje, e mbi 1400 janë vetëm ndaj grave.
Për shoqërinë civile kjo është drejtësi që mbron vrasësin, e inkurajon ata. Dhe se është sistem që punon për burrat e dënon gratë. Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, thotë për KosovaPress, se shteti po reagon me vonesë në mbrojte të viktimave.
Hilmi Jashari, i cili udhëheq institucionin e Avokatit të Popullit thotë se shteti duhet të marrë përgjegjësinë në rastet kur nuk ofron mbrojtjen e viktimës potenciale.
Kosova sipas tij, në vitin 2015 ka nxjerrë një ligj me të cilën është menduar që t’i ofrohet një mbrojtje më e mirë viktimave të dhunës, për të mos përfunduar me fatalitet.
Adelina Berisha ka bërë thirrje që gjatë vitit 2020 të zbatohet buxheti për strehimore, të cilat sipas saj janë në rrezik të mbyllen.
Të lodhur nga dhimbja, mërzia e proceset e zvarritura gjyqësore, baba i Dianës e i Antigonës bëjnë thirrje që këto raste të parandalohen nga institucionet e vendit, meqë kostoja do të jetë shumë e madhe.
Mbi 100 gra janë vrarë që nga paslufta në Kosovë nga burrat e tyre apo burra tjerë të familjes. Si rezultatë i reagimit me vonesë nga shteti në mbrojte të viktimave, burrat me dhunë e armë fizike po ‘dëshmojnë’ forcën kundër gjinisë së kundërt.