Fjalë Kyçe

6 muaj burg për pronarin e një kompanie: Shkaktoi vdekjen e një personi

6 muaj burg për pronarin e një kompanie: Shkaktoi vdekjen e një personi

Gjykata Themelore e Prizrenit ka dënuar me gjashtë muaj burgim personi e inicialet R.XH., pronar i një kompanie nga Petrova e Prizrenit, për shkaktimin e vdekjes së një personi nga puna jashtë standardeve.

Siç bëhet e ditur nga komunikata e lëshuar nga kjo gjykatë, dënimi i shqiptuar për R.Xh., mund të zëvendësohet me gjobë në shumë prej 2500 euro.

“Dënimi i shqiptuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej gjashtë muaj i njëjti mund të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 2500 (dymijepesëqind) euro, krahas dënimit kryesor gjykata i shqipton edhe dënimin plotësues dhe atë ndalimi i drejtimit të automjetit – kamionit me cisternë-betoni të kategorisë së caktuar “C” në kohëzgjatje prej 1(një) viti”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se më 26 qershor 2019, rreth orës 14:00, në Prizren ka ndodhur një ngjarje e rëndë, ku gjatë ndërtimit të një muri rrethues të një shtëpie, nga pakujdesia, i pandehuri si përgjegjës i pompës së betonit apo cisternës, gjatë zbrazjes së betonit, krani i pompës bie në kontakt me telat e tensionit të lartë të rrymës duke e lënë të vdekur viktimën me inicialet SH.G.

I ndjeri fillimisht është dërguar në spitalin rajonal në Prizren, e më pas ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.