Fjalë Kyçe

Gërxhaliu: Qeverisë në dorëheqje po i zgjatet ‘jeta’ për shfrytëzimin e parasë publike

Gërxhaliu: Qeverisë në dorëheqje po i zgjatet ‘jeta’ për shfrytëzimin e parasë publike

Kriza politike në Kosovë si pasojë e vonesës në formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit, ka krijuar efekte negative ekonomike e po ashtu edhe një goditje të rëndë për bizneset.

Ky vakum institucional tash e gjatë muaj që nga dorëheqja e kryeministrit, Ramush Haradinaj, po i mundëson kësaj qeverie edhe shfrytëzimin e parasë publike në mënyrë jo të duhur.

Për pasojat e krizës politike, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, thotë se ky vakum institucional brenda këtyre 100 ditëve pas zgjedhjeve parlamentare, ka qenë një amnisti edhe për kabinetin qeveritar aktual.

Gërxhaliu në një intervistë për KosovaPress, thotë se mosarritja e koalicionit ndërmjet LVV dhe LDK, përveç dëmeve të mëdha që po i shkaktohen vendit, po i zgjatë ‘jetën’ Qeverisë në dorëheqje dhe stafit politik për shfrytëzimin e parasë publike, si dhe është krijuar një situatë e pavolitshme për shoqërinë në vend.

Ish-kryetari OEK thotë se derisa vendet rajonit janë duke bërë gara për të tërhequr investimet e huaja dhe brende ndërkombëtare, në Kosovë po ndodhë ikja e fuqisë punëtore dhe pasojat në rast të mosmiratimit të projektligjit-buxhetit në afatin e duhur janë të mëdha.

Gërxhaliu duke vlerësuar se brishtësia e funksionimit të shtetit është duke u zbehur, thotë se jo vetëm që nuk ka investime të huaja në Kosovë për shkak të klimës aktuale politike, por shpreh drojë që edhe bizneset vendore do të tentojnë të gjejnë alternativë për të investuar në vendet e rajonit dhe më gjerë.

Duke folur për sektorin privat dhe ndikimet e ngërçit politik, Gërxhaliu pohon se partitë politike në vend duhet ta kuptojnë se mbi interesat e partive duhet të jetë interesat e shtetit, teksa thotë se ngufatja për sektorin privat, ndalimi i projekteve kapitale janë edhe një goditje e rëndë për sektorin privat dhe nuk do të ketë rritje shkallës së punësimit.

Kujtojmë, se është hera e tretë që vendi ka situatë të tillë me vonesa pas zgjedhore për konstituimin e qeverisë, që po e bënë të pamundshëm funksionimin e qeverisë dhe parlamentit.