Fjalë Kyçe

Deputetja e LDK-së një propozim për VV-në: Mbajeni kryetarin e kuvendit, na jepni kryeministrin

Deputetja e LDK-së një propozim për VV-në: Mbajeni kryetarin e kuvendit, na jepni kryeministrin

Refuzimi i Lëvizjes Vetëvendosje që t’ia jap postin e kryetarit të Kuvendit LDK-së, ka bërë që deputetja e kësaj të fundit i ka propozuar partisë së Kurtit që ta mbajnë postin e kryetarit të legjislativit, por t’ia japin LDK-së, postin e kryeministrit, meqë ende është në lojë.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, assesi të pajtohen për postet udhëheqëse të shtetit. Derisa LDK-ja po e kërkon rikthimin e postit të kryetarit të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje nuk po pajtohet me këtë kërkesë.

Por, meqë partia e Kurtit nuk po dëshiron të kthehet mbrapa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxheri, ka dhënë një propozim për partinë e Albin Kurtit.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, deputetja Gaxherri, ka kërkuar nga Vetëvendosje që t’ia jep LDK-së postin e kryeministrit, në qoftë se nuk dëshiron të kthehet mbrapa për t’ia dhënë postin e kryetarit të Kuvendit.

Sipas saj, as Vetëvendosje e as LDK nuk mund t’i kenë të gjitha postet udhëheqëse në shtet.

“Në qoftë se vërtetë dikush po do t’i ikë, në fakt jo dikush, por Vetëvendosje sepse e ka përgjegjësinë kryesore ta krijojë Qeverinë, duke thënë se nuk duan të kthehen mbrapa se zyrtari i lartë është caktuar kryetar Kuvendi dhe po donë t’i ikë realitetit që ata duan ta kenë krejtësisht pushtetin në duar, gjithçka në kontrollë”.

“E nëse nuk është kjo, atëherë që ne nuk po e kthejmë mbrapa kryetarin e Kuvendit, por po diskutojmë postin e kryeministrit, sepse qoftë LDK, qoftë VV nuk mund t’i ketë tri postet udhëheqëse në shtet, nuk ka asnjë mundësi. Kështu që nëse nuk pajtohet me propozimin e LDK-së që i ka thënë pas një viti kur ne e zgjedhim, e realizojmë qëllimin ose marrëveshjen për presidentin ne po e kthejmë prapë kryetarin e Kuvendit, nëse nuk mund ta bëjmë këtë hap atëherë po e marrim kryeministrin, kjo është shumë e thjeshtë”, ka thënë Gaxherri për Insajderin.

Megjithatë, ajo thotë se këtë ofertë nuk e kanë diskutuar në organet e partisë, por është propozim i saj personal për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jo, nuk e kemi diskutuar në organet e partisë, por ky është qëndrim i imi. Nëse qenka telashe për ta kthyer mbrapa apo për të dhënë dorëheqje Konjufca atëherë po flasim për kryeministrin. Sepse aq absurd po me duket me shku në zgjedhje prapë, pasi është non sens”, thekson ajo.

Pavarësisht përplasjeve mes dy partive, deputetja Gaxherri thotë se ende ka mundësi për marrëveshje mes dy subjekteve politike.

“Gjithmonë ka mundësi për marrëveshje, tek e fundit ne e kemi tepruar pak sepse pritjet kanë qenë të mëdha nga Vetëvendosje, prej qytetarëve por edhe prej neve, por tash disi është degradim ky dialog. Por, nuk ka dashuri mes partnerëve në koalicion, gjithçka është pushtetit sepse përmes këtij pushteti partitë politike mundohen t’i realizojnë programet e veta. Unë nuk them që është vonë, kanë shumë gjëra që nuk është dashur të thuhen përmes medieve”, shtoi deputetja Gaxherri.

Ajo e ka bërë krejtësisht Vetëvendosjen përgjegjëse për krijimin e Qeverisë.

“LDK është e gatshme për ta bërë këtë koalicion me kërkesat e veta krejt legjitime. VV ka përgjegjësi për ta krijuar qeverinë, nëse nuk i pëlqen LDK-ja, le ta bëjë me të tjerat”, ka thënë ajo.

Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje përmes një letre e ka refuzuar ofertën e LDK-së që posti i kryetarit të Kuvendit t’i kthehet atyre, pasi aktualisht e ka VV-ja, meqë në seancën konstituive të 26 dhjetorit Glauk Konjufca është zgjedhur në krye të organit me të lartë ligjvënës.