Një grabitje e armatosur dhe me maska ka ndodhur mbrëmë rreth mesnate në fshatin Shkabaj, pak kilometra larg kryeqytetit.
Dy persona të maskuar dhe të armatosur i kanë zënë priten një veture në të cilën ndodheshin dy persona tjerë.
Siç ka marrë vesh Reporteri.net, nën kërcënimin e armës automatike (kallash) që barte njëri prej të dyshuarve dhe një pistolete të cilën e mbante i dyshuari tjetër, plaçkitësit kanë detyruar viktimat që dalin nga vetura e tyre dhe i kanë shtrirë për toke. Tutje, ata pasi kanë kontrolluar viktimat, nga ta kanë marrë një kuletë.
Më pas, plaçkitësit e maskuar dhe të armatosur janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë, e cila më vonë, siç ka mësuar Reporteri.net, është gjetur e djegur në hyrje të autostradës “Ibrahim Rugova”, në fshatin Mazgit – pak kilometra larg vendit ku kryen vjedhjen e armatosur.