Fjalë Kyçe

PZAP paralajmëron partitë politike: Paguajini dënimet ose do të gjobiteni

PZAP paralajmëron partitë politike: Paguajini dënimet ose do të gjobiteni

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), u ka bërë thirrje partive politike që të paguajnë dënimet, në të kundërtën do të pësojnë gjoba.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka njoftuar subjektet politike që brenda 15 ditëve kalendarike, duke filluar nga 17 deri më 31 janar 2020, të paguajnë gjobat e shqiptuara nga PZAP-i ndaj tyre për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 06 tetorit 2019.

“Në të kundërtën PZAP-i do të jetë i detyruar që të zbatojë ligjin e aplikueshëm, saktësisht do të shqiptojë dënime shtesë për secilin vendim veç e veç, si edhe do të zbatojë ligjin e aplikueshëm të procedurës përmbarimore nr. 04/L-139 Neni 120, paragrafi 2. të LZP-it, përcakton se dështimi për të paguar gjobën apo për t’iu bindur një urdhërese të PZAP-it brenda periudhës kohore të saktësuar në vendimin e PZAP-it është një shkelje tjetër e këtij ligji që mund të sanksionohet me dënim shtesë nga PZAP-i”, thuhet në njoftim, shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit, PZAP-i në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019, ka shqiptuar gjoba ndaj
subjekteve politike dhe kjo:

Gjithsej gjoba: = 360.000.00 euro
Gjoba të paguara: = 84.900.00 euro
Gjoba të papaguara: = 275.100.00 euro
Të dhënat e PZAP-it janë të 17 janarit 2020.