Fjalë Kyçe

Osmani: Leni anash fajësimet, koalicioni duhet të arrihet pasi kemi premtuar

Osmani: Leni anash fajësimet, koalicioni duhet të arrihet pasi kemi premtuar

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është koha t’ja dëshmojmë të gjithë atyre që na votuan se jemi për ndryshim, pra duhet të arrihet një koalicion mes LVV dhe LDK’së për formimin e koalicionit të ri qeverisës.

Osmani sot para gazetarëve ka deklaruar se në Kryesi të LDK’së dje është përcaktuar që të flasin vetëm me LVV për një koalicion qeverisës dhe nuk kanë propozuar apo përkrahur opsione të tjera.

”Në kryesi të LDK-së dje është përcaktuar qartë dhe unanimisht që LDK negocion vetëm me Vetëvendosjen për një qeveri të ardhshme siç kemi bërë deri tani dhe askush nuk ka propozuar apo përkrahur opsione të tjera”, tha Osmani.

Nënkryetarja e LDK’së po ashtu tha se ata ju kanë dhënë fjalën qytetarëve për një qeverisje më ndryshe se ato në të kaluarat.

”Është e qartë se në asnjë mënyrë nuk kemi ndonjë opsion B, kemi dalë para qytetarëve me një opsion dhe ky është i vetmi për të cilin ne punojmë. Pra nuk ka pasur ndonjë kundërshtim dje në kryesi dhe në të njëjtën kohë nuk besoj që diçka e tillë do të ishte e mirë për vendin jo vetëm për gabimet e qeverisë së kaluara nga partitë e PAN-it por për shkak edhe se iu kemi dhënë fjalën qytetarëve dhe është e rëndësishme ta mbajmë”.

”Secili anëtarë e ka shprehur vullnetin e plotë të kontribuojë në këtë drejtim që të eliminohen keqkuptimet të cilat janë krijuar deri më tani dhe siç e kam theksuar edhe më herët këto pakë ditë kanë mbetur duhet të shfrytëzohen nga të dyja palët [LDK e VV] në mënyrë që të lihen anash fajësimet sepse duhet të kihet parasysh krijimi i një qeverie në përputhje me vullnetin qytetar që do të fillojë sa më shpejt të merret me problemet e qytetarëve”, tha Osmani.

Osmani ka deklaruar po ashtu se janë të interesuar që t’i kthehen tavolinës së bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për gjetjen e një zgjidhje që dërgon në një marrëveshje koalicioni.

”Ne jemi të interesuar t’i kthehemi tavolinës së diskutimeve dhe natyrisht që propozimet që tani ka bërë LDK, të gjitha kanë qenë me synim arritjen e marrëveshjes, përfshirë dhe atë të fundit që synim e kanë tejkalimin e problemeve e VV duhet ta shoh si të tillë si një mundësi për ecjen përpara në mënyrë që të kemi Qeverinë sa më shpejt. Të tjera do të diskutohen në tavolinën e negociatave në momentin që do të kemi takimin e parë kurdo që është ai”, ka thënë Osmani.