Fjalë Kyçe

Kurti i shkoi Mustafës në rançin që ia sulmuan dikur

Kurti i shkoi Mustafës në rançin që ia sulmuan dikur

“Isa Ranch, shiti pronat tua, JO KOSOVËN”!. Me këtë parullë, Lëvizja Vetëvendosje kishte protestuar afër shtëpisë së kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa në fshatin Prapashticë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar këtë aksion për të kundërshtuar vendimet e Isa Mustafës si kryeministër i vendit, shkruan lajmi.net.

Kjo nuk ishte hera e vetme kur Vetëvendosje kishte protestuar dhe kishte sulmuar Isa Mustafën, ai ishte sulmuar me vezë në Kuvend dhe dikur për Vetëvendosjen “Isa, Hasha – Esat Pasha”, ishte kryefjalë e protestave.

Vetëvendosje në vitin 2015 gjatë aksionit tek shtëpia e Isa Mustafës kishin hasur në rezistencë nga Policia e Kosovës – rezistencë të cilën e kishin quajtur “ë shërbim të plotë të interesave financiare private të Kryeministrit Isa Mustafa”.

Gjatë kësaj proteste ishin arrestuar 3 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje si Zgjim Hyseni, Qëndron Kastrati dhe Egzon Azemi, derisa sekretari organizativ asokohe i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj i kishte quajtur të padrejta arrestimet.

Përkundër të gjitha këtyre, Albin Kurti dje i ka shkuar përsëri në “Ranch”, Isa Mustafës, por kësaj radhe jo për të protestuar e për të hedhur gurë e vezë, por për ta lutur Mustafën që të krijohet koalicioni qeverisës.

Sipas burimeve të lajmi.net, takimi në “Ranchin” e Isa Mustafës ka zgjatur deri pas mesnatës, por nuk është raportuar të jetë arritur ndonjë marrëveshje.

Sipas po këtij burimi, Albin Kurti me lehtësi ka arritur ta tejkalojë kushtin e LDK-së për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, duke i ofruar LDK-së dy ministri më shumë se Vetëvendosja, pra 6 ministri për LDK-në dhe 4 për Vetëvendosjen.

Sot, është heshtje në opinion nga të dy subjektet politike në fjalë për sa i përket marrëveshjes për bashkëqeverisje.