Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka kritikuar institucionet për Platformën e Dialogut, në të cilën sipas saj nuk përmendet gjenocidi serb.
Këto komente ajo i bëri në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për Rezolutën për Gjenocidin serb në Kosovë, shkruan lajmi.net.
“Mund të themi sa të duam që është vonë, megjithatë përtej diskutimit duhet të sigurohemi që sot Kuvendi del me propozime konkrete”, tha fillimisht ajo.
“E para, para përafërsisht një muaji ose dy është miratuar Platforma për Dialogun, dhe ndër të tjera kjo Platformë thotë se ky është qëndrimi i vetëm i Republikës së Kosovës. Meqenëse qëndrimi i vetëm i Kosovës qenka vetëm ky në Platformë, unë kam tentuar në Komisionin për Punë të Jashtme që kjo Platformë ta thotë të vërtetën për krimet e kryera në Kosovë”, tha ajo.
Sipas saj, në këtë Platformë duhet të përfshihet edhe pjesa e gjenocidit serb në Kosovë.
“ Fatkeqësisht kjo platformë thotë se në Kosovë janë kryer vetëm krime lufte, pra në këtë plaftormë duhet të përfshihet edhe gjenocidi serb i kryer në Kosovë dhe krimet kundër njerëzimit”, tha ajo.
Tutje, Osmani tha se në këtë Rezolutë duhet të përfshihet edhe teksti i cili amandamenton dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës.
“Ajo duhet ta ketë një fjali në të që pjesëtarë të regjimit serb janë akoma në pushtet në Serbi”, tha Osmani.