Portieri i Arsenal, Bernd Leno, ka zbuluar disa detaje nga merkatoja e dimrit dhe nga situata në skuadrën e Arsenal gjatë asaj kohe.
Leno ka folur veçanërisht për Granit Xhakën dhe Pierre Emerick Aubameyang, të cilët ishin dy lojtarët që lidheshin më së shumti me një largim të mundshëm.
Aubameyang lidhej me Barcelonën, kurse Xhaka me Hertha Berlin, por Leno thotë se asnjëherë nuk kishte frikë se ata do të largohen.
“Sigurisht, ka shumë thashetheme dhe njerëzit flasin për këto gjëra. Por, kurrë nuk ishte ndjenja se ndonjë lojtar po mendonte për një skuadër tjetër, ose dëshironte të largohej, refuzonte të stërvitej ose nuk kishin fokusin te stërvitja” ka thënë Leno, transmeton lajmi.net.
“Të gjithë mund të shohin se kemi trajner të ri dhe një mentalitet të ri. Ne duam të ndërtojmë diçka këtu tek Arsenal” ka shtuar portieri gjerman.
Arsenal ka regjistruar rekordin më të dobët në 107 vitet e fundit të skuadrës, në 25 ndeshjet e para të Premierligës këtë edicion.
Arteta do të ketë punë më të vështira për suksesin e Arsenal, sesa mbajtjen e Xhakës dhe Aubameyang në ‘Emirates’.