Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka vizituar zyrtarin policor Lavdim Osmanin pasi u arrestua dje për veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas KMDLNj, Osmani kishte thënë se e gjitha kjo ndaj ishte montuar dhe se gjatë arrestimit ishte përballur me fyerje.
Ja njoftimi i plotë:
Monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, në kuadër të mandatit për monitorimin e respektimit e të drejtave të njeriut në institucionet e ndalimit, qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese kanë vizituar të ndaluarit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.
Monitoruesit takuan L. O dhe bisedoi me të sa i përket trajtimit të tij gjatë procesit të arrestimit, bartjes në qendrën e ndalimit dhe trajtimit të tyre në këtë qendër. I njejti pohoi se ai ishte arrestuar në rrugën“C”nga pjesëtarë të Inspektoriatit Policorë të Kosovës, të cilët ishin 5- 6 persona në uniformë civile. I njejti pohoi se ata nuk kanë pasur urdhërarrest dhe gjatë arrestimit ai është përballur me fyerje nga më të ndryshmet nga pjesëtarët e IPK-së, të cilët i kishin shkuar direkt me armë tek koka.
L.O .pohoi se në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë ai është njoftuar me të drejtat që i takojnë. Ai ka angazhuar avokatë privat dhe nuk vuan nga asnjë sëmundje. I njejti pohoi se ky arrestim është rrjedhojë e punës që ai bënë dhe i është montuar nga persona të cilët pohoi se kanë lidhje të forta me politikën.
I ndaluari i pohoi KMDLNj – së se nuk ka vërejtje për sjelljet e stafit të Qendrës së Mbajtjes dhe se ndjen keqardhje për kushtet e punës që ata kanë.
Pas monitorimit, KMDLNj konstaton se ndaj të ndaluarit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë respektohen në tërësi të drejtat e njeriut që i takojnë si person i ndaluar – privuar nga liria. Ndërkaq , KMDLNj kërkohen të bëhen hetimet lidhur me pohimet e të arrestuarit se nuk është trajtuar në përputhje me ligjin.