Prokuroria Themelore në Ferizaj ndalon për 48 orë hetuesin policor të Krimeve Ekomike, Zyrtarin nga Agjencioni i Regjistrit Civil dhe një biznismen, rasti i dytë për marrje ryshfeti brenda kësaj jave.
Përmes një njoftimi zyrtarë Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar opinionin publik se me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, tre persona të dyshuar, në mesin e tyre dy zyrtarë dhe një biznismen.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik, se me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, tre persona të dyshuar, në mesin e tyre dy zyrtarë, njëri hetues (S.XH), në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (DHKEK), një zyrtar (A.M), i Ministrisë së Punëve të Brendshme- Kryeinspektor i Agjencisë së Regjistrimit Civil, si edhe një person tjetër me inicialet (L.B), për shkak të dyshimit se ata kanë kryer veprat penale: “Marrje ryshfeti” nga neni 421, “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe“Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se hetimet ndaj tyre kanë filluar më 17 tetor 2019, me zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, si edhe në hetim ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar tjetër i Drejtorisë së Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (DHKEK), i cili një ditë më parë është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.” thuhet në komunikatë.
Sipas burimeve të Gazetës Metro i ndaluar është Skender Xhema hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (DHKEK), Arben Mustafa Kryeinspektor i Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Lulzim Berisha biznismen.
Skender Xhema ka punuar me një department me hetuesit Lavdim Osmanin dhe Lutfi Menxhiqin të cilët u arrestuan dy ditë më herët për një rast të ngjashëm për marrje ryshfeti.