Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, është marrë në pyetje sot nga prokurorët special për fotografitë që i shpalosi dje në Kuvendin e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, i cili tha se shumë shpejt do të dalin me një komunikatë për media.
Ajo çka mund të them tani është së shpejti do të lëshojmë një njoftim për media”, tha Lutfiu për Gazetën Express.
Ai nuk konkretizoi nëse ka përfunduar intervistimi i saj, por rreth kësaj do të dalin me një komunikatë për media.
Dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në një seancë ku po flitej për krijimin e një Tribunali ndërkombëtar për gjykimin e krimeve serbe, deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka publikuar një fotografi ku shihet një skenë dhunimi, e për të cilën deputetja thoshte që është një ngjarje e luftës së fundit në Kosovë.
Sipas saj, në fotografi ishin disa ushtarë serbë të cilët po dhunon një grua shqiptare të Kosovës në sytë e familjarëve të saj.
Por gjithçka u shndërrua në skandal, kur u gjet se fotografia e prezantuar nga Brovina u gjet edhe në disa sajte të pornografisë.
E tashmë me këtë çështje po merren edhe autoritetet e sigurisë, me qëllim të vërtetimit dhe gjetjes së burimit se nga e ka marrë Brovina një fotografi të tillë.
PDK-ja është distancuar për veprën e Brovinës, duke thënë se është një veprim individual i saj.