Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Kuvendi të Kosovës, ka thyer heshtjen e PDK’së në një konferencë për media, pas skandalit të krijuar dje nga deputetja e partisë së tij, me fotografinë e falsifikuar ku shihet një skenë dhunimi.
Ai e ka pranuar që veprimi i deputetes së partisë së tij është një gabim i rëndë dhe i pafalshëm, që më së shumti do t’i kushtojë PDK”së.
“Ka ndodhur një gabim, që është i madh, dhe është i rëndë. Ka ndodh një gabim që më së shumti na ka kushtuar neve, por nuk do të ndalemi”, ka thënë Veseli.
Ai thotë se duhet të nxirret një mësim i mirë nga ky gabim i deputetes së PDK’së, se gjërat fillimisht duhet të verifikohen dhe pastaj të bëhen publike.
“Duhet të nxjerrim mësim nga ky gabim Ky gabim na dëshmon që trajtimi i të kaluarës duhet të bëhet në mënyrë profesionale, dhe jo duke u ngutur, dhe pa i konfirmuar. Nga dita e parë e kësaj iniciative ka pasur goditje e etiketime. Por një gjë duhet të dihet. Tribunali do të ndodh, ka fakte boll, ka dëshmitar”, ka thënë Veseli.
Ai thotë se megjithatë Serbia duhet të përgjigjet për veprimet e bëra gjatë luftës së Kosovës.
“Serbia do të përgjigjet, dhe kriminelët nuk do të mund të flenë rehat, derisa të dënohen për krimet e kryera”, ka shtuar ai.
“Ju mendoni se 120 deputet janë fëmijët e mi. Ju mendoni se secili prej tyre vjen tek unë. Ju mendoni që do të lejojë Serbinë, dhe kundërshtarët e popullit tonë të kënaqen me këtë”, ka thënë Veseli kur është pyetur se si kishte mundësi që të mos ishte në dijeni si kryetar i partisë për një veprim të tillë të Brovinës.
Ai ka thënë se Kuvendi do të vazhdojë të hënë punën normalisht, me pikat e mbetura për t’u votuar.
“Të hënë Kuvendi do të vazhdojë seancën ku ka mbetur prëmë. Do të votohen të gjitha pikat me mbështetje të gjërë, si dhe iniciativa për ngritje të Tribunalit. E kemi fituar lirinë sepse e kemi merituar, do ta fitojmë edhe drejtësinë”, është shrpehur ai.