Para rreth 10 viteve çifti Durim e Suada Hadri kishin blerë një shtëpi dykatëshe në Ortakoll të Prizrenit. Ndonëse kishin pasaporta suedeze, ata kishin vendosur që vitet e pleqërisë t’i kalonin në vendlindje. Kohë pas kohe në Prizren i vinin për vizitë tre fëmijët, dy djemtë dhe vajza. Por njëri nga ta, Adriatiku ishte më misterioz. Gjithmonë kur vinte në Kosovë, ai qëndronte i mbyllur në shtëpi. Nuk dilte as në ballkon. Çifti për sjelljet e tij, arsyetohej tek fqinjët se është i sëmurë. E pikërisht Adriatiku 35-vjeçar po kërkohet për vrasjen e prindërve të tij, që dyshohet se e kreu për motive pronësore.
Një fotografi me një mesazh se dy persona kanë ndërruar jetë qëndron e varur në rrethojat e shtëpisë dykatëshe në lagjen e Ortakollëve në Prizren. Dyert e kësaj shtëpie janë të mbyllura, po ashtu edhe roletat e dritareve të saja të gjitha janë të ulura poshtë duke u dhënë kështu të kuptohet se aty nuk jeton askush.
Në oborrin e kësaj shtëpie në Prizren gjendet edhe një veturë e cila është e gjitha e mbështjellë me një mbulesë. Ajo i takonte çiftit Hadri, Suadës dhe Durimit njëri 55 e tjetri 64 vjeçar të cilët kishin kohë që nga Suedia kishin ardhur për të jetuar në Kosovë.
Por fundi i këtij çifti ishte tragjik. Ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në mëngjesin e 22 janarit të këtij viti. I dyshuari kryesor për vrasjen po cilësohet djali I tyre, Adriatiku-35-vjecar.
Çifti kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Dy nga ta ishin të martuar, ndërkohë tjetri, Adriatiku 35-vjeçar ishte i pamartuar. Çifti ndërrimin e moteve e kishin kaluar në Suedi, tek fëmijët.
Por me tu kthyer në Kosovë, mes tyre dhe djalit, nisën problemet.
“Nuk kemi ndi as krismë e as kurgjo. Krejt familjen e kanë jashtë. Na me ta kemi pi çaj, kafe, për neve gjithmonë kanë qenë të mirë. Nuk kanë folur asnjëherë për ndonjë problem”, thotë njëri nga fqinjët e çiftit.
Ata thonë se dy fëmijët e tjerë të çiftit i kanë parë, por Adriatikun i cili dyshohet se i vrau ata, thonë se asnjëherë nuk e kanë parë.
“Ai djali edhe kur ka ardhë, ne kurrë s’e kemi pa as nuk e kemi njoftë as kurrgjo. Rrike brenda, nuk dilte aq. Prindërit e tij thonin është pak i sëmurë. Këta i kanë tre fëmijë. Djali e cika tjetër janë atje punojnë atje rregullisht. Këta vinin herë këtu e herë atje. E kanë blerë këtë shtëpinë afër nesh. Pinim kafe shpesh me zonjën e ndjerë”, sqarojnë fqinjët.
E çifti i ndjerë, planet për të qëndruar në vendlindje i kishin te mëdha. Për këtë punë kishin bërë edhe investime në biznes duke blerë kështu një tokë për parkingje në qendër të Prizrenit e dy banesa.
E pikërisht prona dyshohet të jetë shkaktari i këtij veprimi që e kreu 35-vjecari. Por i dyshuari kryesor për këtë vepër, djali i çiftit ende nuk është kapur nga Policia.
“Ai nuk është marrë me punë të mira. Babi i tij ka qenë milioner. E kanë blerë një parking në qendër të Prizrenit. Po thonë se për pronë janë kapur”, deklarojnë fqinjët.
Po rreth këtyre deklaratave nuk është përgjigjur Prokuroria Themelore e Prizrenit. Ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve të Expressit të martën.
Ndërkohë në një përgjigje me shkrim nga Prokuroria janë deklaruar se rasti në fjalë është ende në fazën e hetimeve, e se janë duke grumbulluar informacionet e nevojshme.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin e vrasjes së ndodhur me datë 22.01.2020 në lagjen “Ortakoll” në Prizren, Prokuroria është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme, për zbardhjen e plotë të rastit”, ka deklaruar për Gazetën Express, Fitore Mehmeti zëdhënëse për informim në Prokurorinë e Prizrenit.
Organet e rendit kishin deklaruar se dyshohet se A.H, mund të ketë kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut për të shkuar pastaj në Greqi. Deri më tani nuk kanë informacione të reja për vendndodhjen e tij. Ndërkohë në rast tashmë për hetime janë përfshirë edhe autoritet suedeze.
Ata u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit. Sipas policisë, afër trupave të tyre ishin gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.