Ish-ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, i ka dorëzuar sot zyrtarisht ministres Rozeta Hajdari Departamentin e Investimeve Strategjike, i cili tashmë i është bashkuar Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Gashi e ka informuar ministren Hajdari për sfidat, me të cilat është ballafaquar sektori i investimeve strategjike, si dhe për punën që ka bërë ministria për t’i sjellë Kosovës investitorë strategjikë, transmeton Koha.net.
Tutje thuhet se Gashi, gjithashtu, e ka njoftuar Hajdarin rreth investimeve potenciale që kanë mbetur në proces për shkak të ndërrimit të Qeverisë, duke e inkurajuar që t’u japë hapësirën dhe mbështetjen e nevojshme investitorëve që tashmë i kanë përmbushur kriteret për investime strategjike.
Ndërkaq, ministrja Hajdari ka theksuar se do t’i trajtojë me prioritet të gjitha proceset përfituese për ekonominë e vendit, duke përfshirë edhe investimet strategjike.
Me qeverinë Kurti, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike është ndarë në dy pjesë: Diaspora ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa Investimet Strategjike në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.