Fjalë Kyçe

LDK: Presim kërkimfalje nga deputetja Brovina drejtuar Saraçit dhe LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së PDK-së, Flora Brovina e cila e ka inkriminuar ish-deputeten e LDK-së, Mevylde Saraçi, rreth fotografisë së djeshme të publikuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Brovina tha se fotografia e publikuar nga vet ajo në Kuvend, dje më 16 maj, i është dorëzuar nga ish deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi, dikur në vitin 2003.

“Është e papranueshme kjo deklaratë e znj. Brovina që tenton që fajin për mosprofesionalizmin e saj ta hedhë tek të tjerët. Është e udhës që znj. Brovina të kërkojë falje dhe të marrë përgjegjësi për mungesën e profesionalizmit nga ana e saj.

Përgjegjësia profesionale, ligjore, morale dhe etike për dokumentet që prezanton znj. Brovina i takon asaj, vetëm asaj dhe askujt tjetër”, ka thënë LDK-ja në një reagim dërguar mediave.

Kjo parti po ashtu thotë se mirëpret kërkimfaljen nga deputetja Brovina drejtuar Saraçit, LDK-së dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës “të cilët i traumatizoi me dokumente të rreme”.

“Një deputete që respekton qytetarët që i kanë besuar votën, sot do të dorëzonte mandatin e saj e jo të tentojë të shfajësojë mosprofesionalizmin e saj duke akuzuar të tjerët”, ka përfunduar LDK-ja.