Fjalë Kyçe

Vetëm gjatë 2019, IPK realizoi 41 arrestime, suspendoi 70 zyrtarë policorë

Vetëm gjatë 2019, IPK realizoi 41 arrestime, suspendoi 70 zyrtarë policorë

Të mërkurën që lamë pas Inspektorati Policor i Kosovës realizoi një aksion-arrestimi në qendër të Prishtinës.

Në orët e vona të mbrëmjes Inspektorati arrestoi udhëheqësin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, një qytetar të dyshuar nga Kaçaniku dhe një zyrtar tjetër të PK-së.

Por padyshim se kjo nuk ishte hera e parë, por as e fundit që Inspektorati Policor arreston zyrtarët e PK-së, nën dyshimin për vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje ryshfeti e armë mbajtje pa leje.

Gjatë vitit që lamë pas, pra në 2019 Inspektorati Policor ka realizuar 41 arrestime.

Përpos këtyre arrestimeve, me urdhër të IPK-së janë suspenduar gjithsej 70 zyrtarë policorë, raporton Indeksonline.

Njëashtu nga Inspektorati Policor i Kosovës pati edhe transfere, ku gjatë periudhës një vjeçare të 2019 u bën gjithsej tetë transfere.

Në një përgjigje të dhënë për Indeksonline, zëdhënësi i IPK-së Arbër Beka ka deklarua se IPK si rezultat i proceseve hetimore dhe angazhimeve kur janë plotësuar kushtet ligjore ka arrestuar persona me dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer vepër penale duke vënë në zbatim dispozitat e përcaktuar anë Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, si dhe ka rekomanduar masa administrative për suspendimin dhe transferimin e zyrtarëve policor duke vënë në zbatim dispozitat e parapara në ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës.

Tutje Beka theksoi se misioni i IPK-së vazhdon të jetë që përmes ushtrimit të veprimtarisë, të sigurojë shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.

Përgjatë vitit që lamë pas, 2019 Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar raste të llojeve nga natyra të ndryshme.

Por pesë rastet që janë hetuar më së shpeshti nga IPK ishin këto:

-Mashtrim

-Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar

-Lëndim i lehtë trupor

-Rrezikim i trafikut publik

-Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Policia e Kosovës për vite me radhë është zgjedhur institucioni më i besueshëm nga qytetarët e Kosovës, por pavarësisht kësaj brenda këtij institucioni ka individë të cilët shpesh herë kanë detyruar IPK-në që të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për t’u ndaluar veprimtaritë që bien në kundërshtim me ligjet e Kosovës.