Fjalë Kyçe

Pelosi kundërshton vendimin e Trumpit për emërimin e Grenellit

Pelosi kundërshton vendimin e Trumpit për emërimin e Grenellit

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi, ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për emërimin e Richard Grenellit në postin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, që është edhe i emëruari i dytë në këtë post gjatë kësaj administrate.

“Ushtarët tanë, patriotët e komunitetit tanë të inteligjencës dhe populli amerikan meriton një politikë të zgjuar e të fuqishme të sigurisë kombëtare. Mjerisht, Presidenti Trump edhe njëherë i ka vënë interesat e veta politike para interesave të sigurisë kombëtare amerikane duke emëruar një Ushtrues Detyre të Inteligjencës Kombëtare kualifikimi i vetëm i të cilit është besnikëria e tij absolute ndaj Presidentit”, ka thënë Pelosi, raporton Koha.net.

Në një deklaratë për media, Pelosi ka thënë se Amerika ka nevojë për një profesionist me përvojë, të kualifikuar dhe të konfirmuar nga Senati, veçanërisht sepse, siç tha ajo, “pavarësia dhe kredibiliteti i komunitetit të inteligjencës janë nën kërcënim nga vetë Shtëpia e Bardhë”.

Sipas saj, presidenti e ka bërë këtë veprim pasi që e ka ditur se “ky zyrtar nuk do të mund të konfirmohej as nga Senati i kontrolluar nga republikanët”.