Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thotë se partisë së tij nuk i ka munguar asnjëherë gatishmëria për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja. Ai ka thënë se duhet të kërkohen vota edhe te pozita për rrëzimin e Qeverisë.
Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, në një bisedë për Gazetën Express thotë se votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme për ta çuar Ramush Haradinajn në shtëpi. Prandaj, siç u shpreh ai, fokusi duhet të jetë edhe te votat e tjera brenda koalicionit.
“Subjektet politike opozitare vetvetiu i kanë të deponuara votat e tyre për me rrëzu qeverinë, duke qenë se nuk janë të mjaftuershme atëherë fokusi duhet të jetë te votat tjera brenda koalicionit eventualisht. Vetëvendosjes nuk i ka munguar gatishmëria asnjëherë e as votat për të shkuar drejt zgjedhjeve”, tha Selimi.
Këto komente Selimi i bëri pas krëkesës së Isa Mustafës që të bashkohen për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Ashtu siç ia rrëzuan Qeverinë në vitin 2017, tani, me të njejtën monedhë, Isa Mustafa, po pretendon t’ia kthejë koalicionit të madh qeverisës PAN-it. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme tha se janë duke punuar në sigurimin e votave për mocionin e mosbesimit. Ai u bëri thirrje VV-së dhe PSD-së për të filluar mbledhjen e nënshkrimeve.
Rexhep Selimi ka thënë se VV-së nuk i mungon gatishmëria për të shkuar në zgjedhje të reja. “LDK e din përgjigjen e Vetëvendosjes, ne cilindo rast VV është e gatshme”, ka thënë Selimi.
Shtoi se problemi qëndron nëse opozita e do ose jo rrëzimin e Qeverisë me votat e Listës Serbe.
“Nuk është problemi te votat e VV-së, as të LDK-së, e ndoshta as të PSD- së në të njëjtën kohë asnjëra nga këto tre parti së paku publikisht nuk shprehet ta rrëzojë Qeverinë përmes Listës Serbe apo në bashkëpunim me Listën Serbe”, tha Selimi për Gazetën Express.