Fjalë Kyçe

Haradinaj: Kurtit ia bëmë të qartë se taksën po ia jep bakshish Serbisë

Haradinaj: Kurtit ia bëmë të qartë se taksën po ia jep bakshish Serbisë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, e vlerësoi seancën e mbajtur dje në Kuvendin e Kosovës si shumë produktive.

Sipas Haradinajt, përmes kësaj seance, AAK-ja ia bëri të ditur kryeministrit Albin Kurti se vendimi për heqjen e taksës është i gabuar.

“Debati, pavarësisht që ka pasur kritika e replika, ndoshta edhe të ashpra, mendoj që ka qenë mjaft produktiv. Ne kryeministrit Kurti ia kemi bërë të qartë që po e jep shumë lehtë (heqjen e taksës) si bakshish për Serbinë, se nuk po nxjerr asgjë. Më e mirë do të ishte po të shkonte Kurti në Berlin dhe të diskutonte me ambasadorin Grenell dhe t’i thotë, ‘ambasador, ja ku i ke parametrat që unë i ofroj ose parakushtet që i ofroj dhe të negocioj me të dhe me e dhënë një afat për shembull 5 ditorë që me zbrit në Beograd me pëlqim edhe prej Serbisë’”, tha Haradinaj në Rubikon të KTV-së.

Tutje Haradinaj tha se kryeministri Kurti nuk ka instrumente për reciprocitet politik me Serbinë.

“Kryeministri nuk ka instrumente për reciprocitet në aspektin politik. Derisa Serbia e ka Kosovën pjesë të kushtetutës së saj, është e palogjikshme të pretendosh që mund të sjellësh reciprocitet. Mund të sjellësh reciprocitet ekonomik, por reciprocitet tregtar dhe politik është e vështirë, sepse nëse Serbia i shet rreth 600 milionë euro në Kosovë, ne i shesim në Serbi rreth 30 milionë euro”, shtoi Haradinaj.
Sipas Haradinajt, heqja e taksës nuk do ta ndalë fushatën e Serbisë për çnjohje.

“Nuk do të ndalet edhe pas heqjes së taksës derisa t’i nuk e ke një garancë të fortë në tavolinë, Brukselin dhe Uashingtonin, që e obligojnë, Serbia njëjte do të sillet në raport me Kosovën”, shtoi ai.