Kryeparlamentarja Vjosa Osmani i është përgjigjur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me kërkesën e sotme për seancë.
“I nderuar president Thaçi, ju falënderoj për letrën tuaj dërguar sot, me të cilën keni shprehur gatishmërinë për t’i adresuar Kuvendit të Kosovës, në të njëjtën ditë në orën 16:00. Ju njoftoj se në përputhje me praktikat e mëhershme, të ndërtuara tashmë nga Presidentët që kanë shërbyer para jush, kërkesa për t’iu adresuar Kuvendit duhet të dërgohet disa ditë më herët, në mënyrë që Kuvendi të ketë kohë për ta organizuar seancën”, i ka shkruar Osmani.
Për më tepër, shkruan Osmani, Kuvendi i Kosovës sikurse dhe shumica e deputetëve do të jenë të angazhuar në aktivitetet për nder të Epopesë së UÇK-së.
“Ato do të mbahen përgjatë datave 5,6 dhe 7 mars. Kurse më 9 mars, Kuvendi do të organizojë seancë tematike me qëllim të sensibilizimit të opinionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, shkruan ajo.