Në fund të intervistës së tij, Veton Surroi komentoi për RTV Ora edhe dy tema të tjera që lidhen me politikën kosovare.
Së pari ai i tha se Albin Kurtit do ti marrin shumë energji disa çështje që lidhen me qeverisjen e brendshme të Kosovës, që kryesisht kanë të bëjnë me aspektetin ekonomik të vendit.
Veton Surroi: Jo nuk besoj se është lëvizje populiste, besoj se është ne reformim. Do të ndeshet me shumë probleme, në këtë proces e sipër dalin mënyra se si të bllokohet gjakderdhja ekonomike e vendit, shpërdorimi i parasë publike, punësimet që janë me mentalitet feudal. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Këto janë çështje që do të duhet të marrin shumë energji.
I pyetur nga gazetari Xhoi Malsia nëse do të pranonte të kandidonte në postin e Presidentit të Kosovës, Veton Surroi nuk dha një përgjigje direkte. Megjithatë, ai la të kuptohet se do ta pranonte një gjë të tillë.
Veton Surroi: Unë jam në politikën aktive, emri im lakohet shpesh për ambasador, kryeministër, ministër. Kjo nuk është pjesa e politikës me të cilën merrem. Ajo që merrem është shkrimi. Përderisa të jetë kështu, kontributi im është gratis. Gjithmonë kam qenë i vullnetshëm të kontribuoj. Ka qenë pjesë e një misioni që do të vazhdojë derisa të përmbyllet.