Fjalë Kyçe

Haradinaj thotë se raportet me SHBA-në i dëmton mosuniteti, jo taksa

Haradinaj thotë se raportet me SHBA-në i dëmton mosuniteti, jo taksa

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë pas takimit që e ka thirrur me partitë politike, se vetëm mosuniteti dëmton Kosovën në raport me SHBA-në.

Sipas tij, Kosova ka pasur momente të vështira edhe më herët, si në rastin e formimit të ushtrisë, por e unifikuar ka kaluar këto momente.

Ai në konferencën për media pas takimit ku ishin përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare pos LDK-së, tha se oferta e kryeministrit Albin Kurti për heqje të taksës dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet, ishte e ngutshme.

“Qëndrimi im është që ne duhet të ecim me Amerikën për një marrëveshje përfundimtare. Çështja e taksës, qëndrimi ynë dhe i Aleancës është që taksa të mbetet në fuqi deri në njohje. Ishte një diskutim i hapur, bukur i sinqertë. Edhe pse sot nuk kemi konkluzione të qarta është hetuar një dëshirë për me i afru qëndrimet. LDK-ja ka kërkuar falje për mospjesëmarrje, por ka propozuar që të kemi një takim bilateral në ditët që vijnë”, tha Haradinaj.

Ai ka treguar se taksa po vazhdon të ndajë partitë.

“Ka qëndrime të ndryshme sa i përket veprimit me taksën. Jam i hapur për konsultime të ndërsjella. Taksa nuk është menduar me qenë e përjetshme, por deri në njohje. Mendoj që ka qenë gabim ofertimi i hershëm për heqje ose për reciprocitet. Mendoj që është dashur të negociohet koha që të hiqet në kohën e njëjtë me kontratën finale. Nëse ka vullnet në të ardhmen mund të ketë edhe një qëndrim me të qartë. Marrëdhëniet me SHBA-në i dëmton mosuniteti jonë”, ka thënë ai.

SHBA-ja ka kohë që ka shtuar presionin mbi Qeverinë Kurti që të heq plotësisht taksën ndaj mallrave serbe.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka folur më shumë për tendencën, sipas tij, të pozitës që ta mposhtë opozitën.

“Pushteti më tepër e ka në fokus betejën politike me na mposht neve sesa me dalë mirë Kosova. Duhet konsensus, duhet bashkëpunim. Ne nuk mundemi si opozitë t’i japim askujt mandat e as ta këshillojmë Trumpin se kë ta ftojë në takime. Kam një mesazh për pushtetin: ‘ne nuk jemi armiq, zgjedhjet kanë përfunduar. Nuk e di a është problem taksa a është mungesa e kësaj qeverie. Nuk është me rëndësi se cili pozicion është i partive opozitare për shkak se ne nuk marrim vendim. Rrethanat janë shumë të kristalta, qoftë nga BE, qoftë nga SHBA-ja. Pushteti duhet të reflektojë me opozitën, jo me e mposht opozitën. Është një përshtypje se është një ide se si me na mposht”

Ndërkohë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se qëndrimi i tij është tash e sa kohë i definuar. Porse tash situata është alarmante.

“Ajo që po them sot, është e njëjta që ka ndodhur para dy vjetëve, por është kthyer edhe në një situatë më alarmante. Fatkeqësisht më tepër ka përplasje e egove të tyre sesa argumente e përmbajtje për shqetësimin e interesit të vendit. Nuk duam të marrim pjesë në përplasje të tilla. Sot vendi ynë është në rrezik të prishjes së marrëdhënieve me BE-në edhe Amerikën për një garë të pakuptimtë, për protagonizëm e që në fund do ta dëmtojë Kosovën. Ftesa ime është që askush të mos bëhet pjesë e kësaj gare. Kosova duhet të jetë e kujdesshme. Ne as nuk duhet e as nuk na takon me u fut mes BE-së dhe Amerikës”, ka thënë Limaj.