Qytetarët kanë krijuar radhë të gjatë në kryeqytet për të blerë miell nga paniku për mungesën e tij si shkak i koronavirusit.
Kompanitë që po shesin miell janë vendosur me kamionë dhe disa prej tyre janë parkuar edhe në shkollën “Nazmi Gafurri” me arsyen për të mos krijuar tollovi në qytet, njofton Klan Kosova.
Shumica e qytetarëve për Klan Kosovës kanë thënë se mielli vazhdon ta ketë çmimin e njëjtë. E po të njëjtën e kanë thënë edhe shitësit duke treguar se ka sasi të bollshme të miellit për të gjithë qytetarët.
Dukuria e njëjtë ka ndodhur edhe dje në kryeqytet dhe po ndodhë në disa qytete të Kosovës.
Ndryshe, dje zëvendëskryeministëri Haki Abazi ka thënë se gjithë kjo nuk është e nevojshme pasi që tregjet nuk do të zbrazen, pavarësisht sëmundjes.
Po ashtu, edhe institucionet tjera shtetërore kanë bërë thirrje të mos bëhet panik, por që të shtohet kujdesi në higjienë.