Fjalë Kyçe

Persona të dyshuar me koronavirus vazhdojnë të shkojnë në Infektivë

Persona të dyshuar me koronavirus vazhdojnë të shkojnë në Infektivë

Ndonëse nuk ka asnjë rast zyrtar të konfirmuar me koronavirus në Kosovë, qendrat mjekësore po pranojnë shumë pacientë që po dyshojnë se bartin simptomat e kësaj pandemie.

Drejtori i Spitalit në Gjilan, Nysret Hajrullahu, tha se drejt Klinikës Infektive në Prishtinë janë dërguar me urgjencë tre pacientë të dyshuar me koronavirus, njofton Klan Kosova.

Që vazhdimisht po ka pacientë të dyshuar me koronavirus, për klankosova.tv e ka konfirmuar edhe zëdhënësi QKUK-së, Shpend Fazliu, që tha se në vazhdimësi ka persona që po i drejtohen Infektivës, por se deri tani asnjë rast nuk ka dalë pozitiv.

“Në vazhdimësi ka raste të dyshuara që ju merret mostra nga Klinika Infektive, e që dërgohen për testim në laboratorët e Institutit Kombëtar. Asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv, bazuar në analizat e Institutit”.

Duke bërë thirrje që të mos ketë panik, dje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija, tha se me ndërmarrjen e masave kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Ai gjithashtu njoftoi se iu kanë dërguar Qarkoren Informative të gjitha institucioneve shëndetësore, publike dhe private, që ka për qëllim mbrojtjen e stafit dhe sigurimin e pacientëve.

Ndonëse sot ende nuk ka shifra se sa persona janë pranuar në Infektivë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka njoftuar se nga data 08.02.2020 deri më 12.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 93 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Vetëm dje IKSHPK ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për 11 raste të dyshimta me COVID-19.