Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri i ka reaguar zyrtarit të Vetëvendosjes, Agim Bahtirit, i cili sot ka thënë se nëse presidenti i shpall zgjedhjet, atëherë mund të ketë vëllavrasje në Kosovë.
Tahiri, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, e ka quajtur Bahtirin, profiter politik e analfabet funksional.
Sipas tij, të bësh ftesë për luftë civile e vëllavrasëse për shkak të pushtetit, është turpi më i madh që mund t’ia atribuojë vetës një person që ndanë bashkë me ne hapësirën e quajtur Kosovë.
Postimi i tij i plotë:
Të bësh ftesë për luftë civile e vëllavrasëse për shkak të pushtetit, në një popull, vuajtjet e të cilit i ka markuar e s’do t’i shlyejë kurrë historia e njerëzimit për shkak të lirisë, është turpi më i madh që mund t’ia atribuojë vetës një person që ndanë bashkë me ne hapësirën e quajtur Kosovë.
Sot një profiter politik e analfabet funksional si Agim Bahtiri, merr guximin të flasë për vëlla vrasje për shkak të karriges së pushtetit. Ky iluzionist që ka deficite ndaj detyrës atëherë kur duhej e kërkohej, sot na fton të bëjmë një rrugë të ngjashme, veçse tash jo më ndaj armikut, por ndaj njëri-tjetrit.
Agim Bahtiri dhe Albin Kurti duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është pjellë e fantazisë diktatoriale e fashiste të kujtdo që i teket, por është atdheu ynë për të cilin dhamë më të shtrenjtën që kishim, dhe të cilën e kemi obligim deri në frymën e fundit, ta ruajmë për të sotshmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe pa asnjë dyshim, do ta ruajmë.
Turp e përtej turpit