Fjalë Kyçe

Qeveria emëron në borde njerëz të VV-së, reagon Hajdari

Qeveria emëron në borde njerëz të VV-së, reagon Hajdari

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, e ka pranuar se disa nga të emëruarit në bordet e përkohshme të tri ndërmarrjeve publike në vend, janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, në tentim për të arsyetuar emërimin e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në bordet e Postës së Kosovës, ndërmarrjes publike “Infrakos” dhe KRU “Prishtina”, ministrja Hajdari ka deklaruar se “ata janë profesionistë e jo militantë partie”.

Reagimi i plotë i Rozeta Hajdarit:

Dje në mbledhjen e Qeverisë kemi shkarkuar bordet ekzistuese e më pas kemi emëruar bordet e përkohshme për Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos dhe KRU “Prishtina”.

Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty.

I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët.

Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike.

Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash.

Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani.