Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se për bujqit, që tani janë në kulmin e punës së tyre në fushë, do të vlejnë masa lehtësuese të lëvizjes, edhe përkundër masave të reja të rrepta të institucioneve qeveritare për kufizim të lëvizjes.
Besian Mustafa, ministër i Bujqësisë, ka njoftuar se orari i qarkullimit për bujqit individualë të pajisur me Numër Identifikues të Fermës (NIF), vetëm për të punuar në fermat e tyre, do të jetë nga 06:00 deri në 20:00.
“Bujqit e pajisur me NIF do të jenë të lirë të punojnë fermat e tyre dhe të qarkullojnë nga komuna në komunë, vetëm për të realizuar punët e domosdoshme bujqësore, përveç nga dhe në vatrat e përhapjes së infeksionit. Për të qarkulluar, bujqit duhet në çdo kohë të kenë me vete: Certifikatën e Regjistrimit të Fermerit, Aneks 1 të Certifikatës – Shënimet e Fermerit të Regjistruar dhe Letërnjoftimin”, ka thënë Mustafa, raporton KOHA.
Ndërkaq, të punësuarit në fermë duhet të pajisen me “Vërtetim për lëvizje të lirë” i cili plotësohet nga pronari i fermës të cekur në Certifikatën e Regjistrimit të Fermerit.
“Vërtetimi për lëvizje të lirë mund të shkarkohet në faqen e internetit të MBPZhR-së www.mbpzhr-ks.net. Këta të punësuar do të jenë të lirë të punojnë dhe të qarkullojnë nga komuna në komunë, vetëm për të realizuar punët e domosdoshme bujqësore në fermën ku janë punësuar, përveç nga dhe në vatrat e përhapjes së infeksionit. Për të qarkulluar, të punësuarit duhet në çdo kohë të kenë me vete: Kopjen e Vërtetimit për lëvizje të lirë, të plotësuar dhe nënshkruar nga pronari i fermës, Kopjen e Certifikatës së Regjistrimit të Fermerit, të fermerit që i ka punësuar, Aneks 1 të Certifikatës – Shënimet e Fermerit të Regjistruar, të fermerit që i ka punësuar dhe Letërnjoftimin personal të tyre”, ka shtuar më tej ministri i Bujqësisë.
Ai ka njoftuar se kanë përfshirë NACE kodet për leje pune për të gjitha bizneset e zinxhirit të kultivimit, grumbullimit, përpunimit, etj. të ushqimit.