Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli është nisur gjatë ditës nga Zvicra për t’u kthyer në Kosovë.
Pacolli udhëtoi me aeroplan privat nga Lugano në Tiranë, ku ka ateruar në Aeroportin Ndërkombëtar rreth orës 18:00.
Klan Kosova mëson se ai akoma nuk e ka kaluar pikën kufitare në Vërmicë. Po ashtu, televizioni mëson se ai do ta kalojë natën në apartamentin e tij në Tiranë.
Gjatë ditës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për t’u futur në karantinë.
Udhëtimi në kohën e përhapjes së koronavirusit është bërë i vështirë dhe me raste i pamundshëm për shumë njerëz në botë.
Të martën me këtë gjë është përballur edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Në një postim të martën në rrjetin social, Twitter, Pacolli ka akuzuar Qeverinë në detyrë të Kosovës se nuk po e lejon të kthehet nga Zvicra në Kosovë për të marrë pjesë në seancën e Parlamentit të Kosovës, “si deputet i zgjedhur në mënyrë demokratike”.
“Kjo është një pengesë direkte ndaj demokracisë sonë parlamentare dhe tentim për të penguar zgjedhjen e qeverisë së re. Turpëruese”, ka thënë ai.