Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka bërë thirrje për vazhdim të shpejtë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se dialogu Beograd-Prishtinë duhet të fillojë së shpejti, raporton “N1”, transmeton lajmi.net.
“Status quo aktual nuk është i qëndrueshëm. Nuk ka asnjë alternative për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha diplomati i lartë i BE-së në një përgjigje me shkrim për një pyetje nga Parlamenti Evropian.
Ai shtoi se “Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis që është i favorshëm që dialogu të rifillojë, në dobi të të dyja palëve”, dhe se ai është duke pritur për një rifillim të shpejtë të dialogut për të ndihmuar në arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve.
Borell kujtoi në përgjigjen se shfaq gatishmërinë e tij për të luajtur rolin e tij si lehtësues i dialogut në emër të BE-së dhe për të vazhduar angazhimin me të gjithë akterët politikë në Kosovë, pas një vizite në Beograd dhe Prishtinë në fillim të këtij viti dhe se ai mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifat 100 përqind të mallrave nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, si një hap i cili pati një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe sigurimin e qarkullimit të lirë të mallrave për të trajtuar pandeminë e koronavirusit.