Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka mbajtur sot një konferencë për media.
Pasi emri i Veseli është përmendur në shumë video ku të përfshirë janë edhe dy të dyshuar të grupit që hetuesia pretendon se janë marrë me fajde.
Veseli ka thënë se nuk ka të bëj asgjë me këtë rast e as me personat e përfshirë në këtë rast.
“Nuk kam të bëj asgjë më këtë rast e as me personat e përfshirë në këtë rast. Është rast klasik i mashtrimit dhe manipulimit, jam i bindun se edhe organet e drejtësisë kanë qenë në dijeni me kohë”, ka deklaruar Veseli.
Ai ka theksuar se nëse del vetëm një indikacion i përfshirjes së tij në këtë aferë do të jap dorëheqje.
“Emri im është keqpërdorur në këtë akt kriminel, kur të dal e vërteta dikush duhet të jap llogari për këtë. Kërkoj të sqarohen disa çështje, për këtë rast:Si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar që paska pas fakte nga viti 2013 të ndërmerren veprime me gjashtë vite vonesë?Kush janë ata që e kanë mbuluar këtë vepër penale, pse këto video incizime kanë qenë në sirtarë të prokurorisë e policisë për kaq shumë vjet?”, ka pyetur kryetari i Kuvendit.
Veseli e ka përsëritur se njerëzit që shihen në video nuk i njeh dhe nuk ka asnjë lidhje me ta.
“Këtu kemi të bëjmë me dry krime, krimin e bërë dhe krimin e fshehur. Gjashtë vite të mbahet fshehur dhe mos të dënohet. Kësaj pune do t’i shkohet deri në fund”, ka përfunduar ai.