Rasti i grabitjes së miliona dollarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ka alarmuar autoritetet aeroportuale në gjithë rajonin. Por derisa Shqipëria ka ndërmarrë masa të ashpra pas këtij rasti, duke rritur masat e sigurisë, madje duke angazhuar edhe ushtrinë, në Kosovë, gjegjësisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës i menaxhuar nga kompania turke LIMAK, siguria është edhe më e brishtë se në Tiranë.
Burime të gazetës në ANP ‘Adem Jashari’ janë shprehur se të gjithë parametrat e sigurisë janë më të ulët në Aeroportin e Prishtinës se në të gjithë aeroportet e rajonit të Evropës Juglindore. Sipas burimit, investitori privat nuk ka investuar aspak në përmirësimin e këtyre parametrave.
Ndryshe para më shumë se një muaji është zhvilluar një test i sigurisë në Aeroportin e Prishtinës. Sipas deklarimeve të zyrtarëve të Aeroportit, rezultatet kanë dalë pozitive, por burimet tona e kontestojnë vërtetësinë e këtyre informatave.
Valentina Gara, përgjegjëse për komunikim me publikun në një përgjigje për Gazeta Alo ka thënë se siguria është në nivelin e duhur. ‘ANP Adem Jashari është duke operuar në siguri të plotë, sipas standardeve ndërkombëtare’, ka thënë Gara për Gazeta Alo.
Por, Gara ka hezituar të përgjigjet lidhur me interesimin tonë për investimet e bëra nga investitori privat “Limak&Aeroport du Lion”. Ajo në fakt nuk ka dhënë përgjigje lidhur me mungesën e investimeve në ata parametra të cilët ndikojnë në sigurinë e përgjithshme e me të cilat obligohet me kontratë.
‘Sa i përket masave të sigurisë ju lutem kontaktoni Ministrinë e Punëve të Brendshme’, është shprehur Gara.
Ndryshe në një test të mëhershëm, dy vite më parë sistemi i sigurisë në dy organizmat ajrorë, në Aeroportin e Prishtinës dhe në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, kishte dështuar në një testim të bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Të dy këto organizma nuk kanë arritur të detektojnë personat e infiltruar, që të armatosur kanë arritur t’i kalojnë të gjitha sistemet e sigurisë.
Një test i ngjashëm është zhvilluar edhe në prill të këtij viti. Por, është ende e paqartë se nga kush është zhvilluar ky test. Për më tepër burimet bëjnë me dije se në këtë rast nuk është ruajtur fshehtësia e testit, dhe zyrtarët e Aeroportit janë njoftuar paraprakisht për zhvillimin e testit.
Një bombë e detektuar nga skanerët e sigurisë në Aeroportin e Prishtinës ka alarmuar përgjegjësit e aeroportit.
Bomba e montuar në një televizor që u vërejt në skaner, ishte gjetur në zonën doganore të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës – te shërbimet ‘Cargo’.
Sigurimi i aeroportit dhe policët ishin vënë menjëherë në alarm. Ata u vunë në një test që këtë herë rezultoi i suksesshëm.
Gjatë testit në disa pika tjera të kontrollit, ishte provuar të kalohen edhe dy thika, përmes personave të infiltruar, të cilat po ashtu u detektuan nga skanerët.
Por zyrtarët e Ministrisë bëjnë me dije se testi në fjalë është organizuar nga ana e autoriteteve aeroportuale në përputhje me planin e punës së tyre dhe ishte organizuar vetë nga ana këtyre të fundit.
Ndryshe për mungesën e sigurisë në Aeroportin e Prishtinës kanë ngritur shqetësime edhe autoritetet e KFOR-it në Kosovë.
Edhe raporte të mekanizmave të pavarur e theksojnë mungesën e investimeve në fushën e sigurisë. Si rezultat i kësaj stafi ndërkombëtar i akredituar në Prishtinë gjithnjë e më pak po zgjedhin Prishtinën për udhëtimet e tyre ajrore, kurse në vend të kësaj ata po orientohen në aeroportet e shteteve fqinje. /Gazeta Alo/